November 27, 2024

Vazhdon gjyqi për vrasjen e nuses nga vjehrri

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda po zhvillohet procesi gjyqë- sor ndaj Ndoc Totës, i cili një vit më parë vrau në oborrin e banesës në Laç bashkëshorten e djalit të tij, Vera Totën.

Ngjarja tronditëse ndodhi pas rreth një viti zënkash familjare në familjen Tota. Nusja, e cila u bë edhe viktimë e dorës së vjehrrit të saj 76-vjeçar, kërkonte të kishte jetën e saj me bashkëshortin dhe jo të jetonte në një shtëpi me vjehrrin dhe vjehrrën.

Çifti kishte tentuar të jetonte edhe në një banesë tjetër me qira një vit para tragjedisë, por ishin kthyer sërish te shtëpia e prindërve të burrit për t’u shërbyer pasi ishin në moshë të thyer. Aty kanë lindur edhe konfliktet, deri sa një mëngjes maji të vitit të shkuar, Ndoc Tota godet në kokë me shulin e derës nusen e djalit, duke e lënë të vdekur në vend.

Ai pati deklaruar në Prokurori se me nusen nuk shkonte mirë dhe se debati kishte nisur, pasi ajo nuk i shërbente siç duhet. Në Gjykatë, ditën e djeshme dëshmuan pesë dëshmitarë, mes tyre, bashkëshortja e autorit, Marie Tota dhe kushëriri i tij, Bardhok Tota, i cili e bindi që të dorëzohej në Polici.

DËSHMIA E GRUAS

“Me djalin tim dhe fëmijët (nipërit) i kemi pasur marrëdhëniet shumë të mira. Me nusen, kur erdhi në fillim ishte mirë, por pasi kaloi ca kohë, nusja kur futej në shtëpi gjithmonë bënte sherr.

Ajo ka qenë edhe për vizitë, ka qenë sëmurë. Unë nuk di çfarë të them për të, por zënka kemi pasur. Një natë para se të ndodhte ngjarja, ajo ka bërë llafe me ne, ndërsa Arbeni ka qenë në punë. Ne ishim të gjithë në një dhomë, nusja së bashku me dy fëmijët, aty bëri llafe me ne.

Pastaj kemi fjetur gjumë dhe kur jam ngritur nuk e kam gjetur burrin aty, nuk di ku kishte shkuar. Shkova te dhoma tjetër për të bërë një kafe dhe më pas dola të shikoj për burrin, kur po dilja për te porta e madhe aty pashë gruan (viktimën) të shtrirë për tokë, kishte gjak në kokë”, shkruan panorama.

DËSHMIA E TË AFËRMIT

“Në datën 3 maj të vitit 2017, rreth orës 5 e gjysmë më mori në telefon Ndoci dhe më tha se duhet të shkoja të shtë- pia se kishte një problem. U ngrita, u bëra gati dhe shkova se e kam afër, aty te oborri pashë Marien dhe pak më vonë pashë nusen, ajo nuk reagonte fare, i kemi hedhur sipër një çarçaf. E pyeta Marien se ku është Ndoci, më tha që nuk e dinte dhe se ai kishte dalë që herët.

Pas kësaj, kam njoftuar familjarët, njerëzit e fisit dhe vëllezërit e Ndocit që ishin aty afër. Nuk kaloi shumë edhe ka ardhur Policia, pasi u njoftua për ngjarjen. Pasi kishin kaluar disa minuta, më merr në telefon bashkëshortja ime, e cila më tha se Ndoci kishte shkuar te shtëpia ime.

I kam kërkuar të ma kalonte në telefon dhe Ndocit i kam thënë që të mos lëvizte nga shtëpia dhe se duhej të dorëzohej në Polici. Pavarësisht se në telefon i thashë që duhej të dorëzohej, për rreth një orë, nuk i kam thënë njeriu se ai ishte në shtëpinë time deri në momentin që i plotfuqishmi i zonës më tha se atë po e kërkon Policia dhe duhet ta gjenim. Aty i kam treguar situatën dhe e kemi dorëzuar me vullnetin e tij, e kemi çuar vetë me makinë në Polici. Kur e kam pyetur se si ndodhi dhe pse, më ka thënë vetëm se ‘Kështu ndodhi, gabova!’.

Facebook Comments

MineralHygienics.com