Me rifllimin e seancës parlamentare, në foltoren e Kuvendit është ngjitur nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka, i cili i ka drejtuar një pyetje kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe mazhorancës sesi është e mundur që Ministrin e Brendshëm nuk e kap ligji Antimafia, në kushtet kur edhe ai vetë e ka pranuar para medias?
“Ka kohë që ky parlament nuk mblidhet më për interesat e qytetarëve,- tha Palok, – por vetëm për hallet e Ramës dhe hallet e Ramës nuk janë hallet e qytetarëve. E dëgjuar vetë dhe në intervistën që dha për gazetaren franceze: “Punë e madhe që ikin shqiptarët, nuk shqetësohem fare”. Nuk tha ndonjë gjë që nuk e dimë. Sepse ai ka vetëm një hall dhe për fat të keq ky parlament vazhdon të mblidhet prej kaq kohësh vetëm për këtë hall. Nuk bën asnjë orë punë, kryeministri ynë. Gjithë ditën është i angazhuar të mbrojë krimin që e ka rrethuar dhe po e mbyt. 5 vjet ka në atë karrige dhe nuk ka bërë gjë tjetër veç ka mbrojtur krimin dhe interesat e tij personale, se ato janë një.
Por unë kam një pyetje për ju dhe gjithë të tjerët, një pyetje që jua bëra dhe ju Gramoz Ruçi, kur na tregonit rregulloren: Ç’do të thotë kur ministri i Brendshëm përgjigjet për pyetjen që i bëjnë gazetarët “a të kap Ligji Antimafia ty, apo jo?”
(Ruçi i bie gongut)
Paloka vazhdon:…dhe ai përgjigjet “teorikisht po, por praktikisht…” heshtje. Kjo do të thotë se ligji e kap. Meqë ai ëhstë ministër i Brendshëm atëhërë nuk e kap! A mund t’i përgjigjet kush kësja pyetjeje, kryeministri mund të përgjigjet pse nuk e kap Ligji Antimafia, Gramoz Ruçin?” E keni bërë Prokurorinë si letër higjenike dhe e përdorni për çdo pisllëk kur doni ju (Ruçi i mbyll mikrofonin, Paloka vazhdon, Ruçi mbyll seancën).
Pasi Palokës i kanë mbaruar minutat, Ruçi i ka mbyllur mikrofonin dhe e ka paralajmëruar disa herë se si i tërheq vëmendjen.
Paloka ka vazhduar të protesojë në foltore pa mikrofon duke ironizuar fjalët e Kryeministrit se “opozita po e pengon integrimin”.
Fjala e tij ka vazhduar ndërkohë që deputetë e PD i janë afruar foltores dhe rojet e sigurisë së Kuvendit kanë rrethuar foltoren.
“Me sa duket ju ka vajtur ora e Facebook-ut, – tha Ruçi me ironi, – mund ta vazhdoni me facebook. Seanca mbyllet.”