Ka nisur protesta tek Ministria e Brendshme ku të rinjtë e PD-së dhe LSI-së kërkojnë largimin e Fatmir Xhafajt nga posti i tij.
E lajmëruar që dje, në protestë janë mbledhur qindra të rinj.
Ata kërkojnë që Fatmir Xhafaj të ikë nga drejtimi i ministrisë, pasi ka mbrojtur të vëllain, i cili është i dënuar për trafik droge.
Me pankarta në duar ‘Tahiri i lirë, kuksianët në burg’, thirrje ‘Rama ik, Xhafaj ik’ protestuesit kanë qëlluar me vezë në drejtim të Ministrisë së Brendshme. Gjithashtu ata mbanin në duar pranga, gomone dhe peshq me fotot e Xhafajt dhe Ramës. Policia ka formuar një kordon para Ministrisë së Brendshme. Kryetari i FRPD, Këlliçi u shpreh se Rama ka kriminalizuar cdo qelizë të shtetit, ndërsa Xhafaj duhet të largohet.
‘Mbrëmë festonin shëmtuar me fishekzjarrë. Do të bëja një apel për të gjithë të rinjtë, që të vijnë të bashkohen për një kauzë kundër krimit dhe drogës. Ky standard nuk është i pranueshëm as në vendet diktatoriale në Afrikë. Një ministër që ka vëllanë të dënuar me 7 vite burg për trafik droge. Rama ka kriminalizuar cdo qelizë të shtetit. Do të doja që këtu të ishin edhe të rinjtë e FRESSH, dhe jo të festonin me Tahirin. Rinia te mos rrije ne kafene dhe Facebook, por te dalin të protestojnë dhe ta çojmë Ramën në azil. Nesër do të jemi këtu dhe nuk do të ndalemi, duhet të ngremë zërin dhe të mos kemi frikë, rinia ka përmbysur sistemet diktatoriale’, tha kryetari i FRPD, Këlliçi
Ndërsa Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi theksoi se protesta duhet të vazhdojë deri sa të largohet Rama, jo vetëm nga posti, por edhe nga Shqipëria, pasi sipas saj, po dëmton të ardhmen europiane të vendit.
Sot duhet të largojmë Ramën, Xhafajn, krimin dhe drogën nga të rinjtë shqiptarë. Të gjithë duhet të protestojmë, ti themi Ramës ik nga Shqipëria’, u shpreh Floida Kërpaçi
Në mbështetje të protestës ishin edhe Paloka, Bozdo, Kadilli dhe eksponentë të tjerë nga Partia Demokratike.