November 22, 2024

MShMS: E vërteta e partneritetit publik privat për shërbimin e laboratorëve

“Shërbimi i laboratorëve shtrihet në 18 spitale, rrisim stadartin në shërbimin publik”

 

Tiranë, 22 Nëntor – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu deklaroi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, se me buxhetin e vitit 2018 do të rrisim dy  herë  pagesën e ndihmës ekonomike, duke e shtrirë skemën në të gjithë vendin nga 1 janari 2018.

“Skema e re e ndihmës ekonomike do të eleminojë kriteret përjashtuese, do të lehtësojë dokumentacionin për qytetarët në nevojë, do të eliminojë ndihmën e pjesshme për 40.000 familje të skemës së ndihmës ekonomike, duke rritur dyfish masën e pagesës së ndihmës ekonomike”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

I ndarë në dy fushat e aktivitetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për Shëndetësinë do të financohen 49 miliard e 294 milion lekë ose 2.98% të PBB, ndërsa për Mbrojtjen Sociale do të financohen 23 miliard 785 milion e 750 mije lekë.

Sa i takon investimeve në Shëndetësi, znj. Manastirliu deklaroi se do të ketë dyfishim të investimeve, duke financuar rreth 3 miliard lekë për përmirësimin e infrastrukturës në qendrat shëndetësore dhe spitalet në të gjithë vendin.

E pyetur lidhur me partneritetin publik-privat të Kontrollit Mjekësor Bazë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se çdo qeveri do të duhej ta garantonte këtë shërbim për popullatën e saj. “Në fakt Kontrolli Mjekësor Bazë është një program  shumë i rëndësishëm për parandalimin e sëmundjeve kronike jo të transmetueshme, si ato kardiovaskulare, diabeti apo hipertensioni, të cilët janë shkaktarët më të mëdhej të vdekshmërisë në Shqipëri. Ne sot e ofrojmë këtë mundësi për 1.2 milion rezidentë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale, duke ju përgjigjur interesimit të deputetëve për partneritetin publik privat të laboratorëve u shpreh se: “Shërbimi i laboratorëve do të shtrihet gjatë vitit 2018 në 18 spitale të vendit nga të cilat 5 spitale universitare, 11 spitale rajonale dhe 2 spitale bashkiake atë të Sarandës dhe të Lushnjës.  Do të kryehen 160 lloje analizash për të gjithë pacientët e shtruar dhe pacientët e referuar ambulatorë, duke ju kursyer shqiptarëve pagesat nga xhepi dhe duke rritur standartin dhe cilësinë e shërbimit laboratorik në spitalet tona publike”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Manastirliu ka prezantuar gjatë dëgjesës në Komisionin e Ekonimsë në Kuvend investimet në përmirësimin e infrastrukturës, ku sipas saj “vitin e ardhshëm do të financohet fillimi i punimeve për dy spitale të reja brenda QSUT-së: spitali i Sëmundjeve të Brendshme dhe Spitali i Kirurgjisë së Përgjithshme. Krahas tyre, do të përfundojë ndërtimi i Maternitetit të Sarandës, rikonstruksioni i maternitetit të Korçës, spitalit të Pediatrisë në Durres, shërbimit të Urgjencës dhe imazherisë në Elbasan si dhe një sërë ndërhyrjesh infrastrukturore, ku 260 milion lekë do t’i akordohen përmirësimit të infrastrukturës së 80 qendrave shëndetesore dhe ambulancave në të gjithë vendin.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com