November 27, 2024

Alarmi: mjekët po ikin nga Kosova

Xhemajl Selmani kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se mosha mesatare e mjekëve në Kosovë është mbi 50 vjeç, e që sipas profesionistëve shëndetësorë është mjaft shqetësuese për faktin se shumë mjekë të rinj janë duke ikur nga Kosova.

Janë mbi 400 mjekë specialistë të lëmive të ndryshme, prej kur është bërë studimi i fundit në Kosovë, që tashmë e kanë lëshuar vendin për kushte dhe punë më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Selmani, cila është gjendja aktuale e punëtorëve brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovë. Cilat janë kërkesat e tyre që ua adresojnë juve?

Xhemajl Selmani: Gjendja e punëtorëve shëndetësorë në përgjithësi në Republikën tonë nuk është e mirë, e sidomos në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e cila nuk dallon as për nga paga, por vetëm nga vëllimi i punës pasi është shumë i madh në QKUK.

Kërkesat tona në vazhdimësi janë rritja e mirëqenies sociale për punëtorët shëndetësorë dhe furnizimi më i mirë i spitaleve me material hargjues dhe pajise mjekësore. Ky është qëllimi dhe synimi ynë.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni pasur premtim nga Qeveria e Kosovës për rritje pagash. Deri ku kanë arritur punët në këtë drejtim, keni ndonjë informacion?

Xhemajl Selmani: Realisht rritjen e pagave e kemi pasur nga marrëveshja parazgjedhore me koalicionin që tashmë ka fituar për rritje pagash prej 30 për qind. Por në fillim vit, e kemi kuptuar gjegjësisht na është thënë që Qeveria e kaluar ka miratuar një ligj me të cilin nuk mund të rriten pagat mbi rritjen mesatare ekonomike.

Ne edhe ashtu kemi pasur marrëveshje shtyrjen para të ligjit për pagat, i cili është kusht edhe nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit nga viti 2010. E kemi shty para në bisedime me kryeministrin aktual dhe na është premtuar që do të miratohet ligji për pagat. Premtimet i kemi që në fillim të qershorit të përfundoj kjo punë, dhe me rishikim të buxhetit të kemi edhe paga dinjitoze sipas përgatitjes shkollore dhe gradave.

Radio Evropa e Lirë: Sa ka deficit të kuadrit mjekësor, dhe cilat janë fushat që më së shumti lëngojnë nga ky fenomen?

Xhemajl Selmani: Në Republikën tonë ka shumë deficite sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në asnjë njësi funksionale që është brenda shërbimit shëndetësorë, nuk ka as mjekë as infermier sa duhet për kokë banori sipas numrit të popullatës. Në të gjitha njësitë që shërbejnë në shëndetësi ka deficite, jashtë QKUK së dhe ka aso pozita që të mbylen klinika të caktuara për shkak se kolegët kanë shkuar në pension, dhe nuk ka staf të ri.

Në Qendrën Klinike situata është pak më ndryshe për shkak se janë koncentruar një pjesë më e madhe e specialistëve këtu.

Radio Evropa e Lirë: Sa mbetet shqetësues fakti që një numër i konsiderueshëm i mjekëve vazhdon të largohet nga Kosova?

Xhemajl Selmani:Ky fakt na ka shqetësuar në vazhdimësi, dhe në vitin 2014 kemi bërë studim me një organizatë nga Zvicra dhe rezultatet kanë dalë se rreth 400 mjekë kanë ikur nga Kosova.

Për katër vite të tjera ky numër është shumë i madh. Mos të flas për infermier që numri i tyre që ikin është shumë më i madh derisa nevojat brenda sistemit janë shumë të mëdha. Ata po i ndjekin kurset e gjuhëve të huaja dhe përgatiten për tregun evropian.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të bëjnë institucionet e Kosovës për të parandaluar ikjen e mjekëve?

Xhemajl Selmani: Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë shumë shpejtë për ta ndaluar këtë fenomen, të investohet në shëndetësinë publike sepse kjo është në të mirë të popullatës.

Në qoftë se nuk ndërrmeren hapa të shpejtë por e shohin sistemin e shëndetësisë për të përfituar nga ai ashtu siç është bërë qe 20 vjet, realisht shëndetësia mund të mbetet keq.

Radio Evropa e Lirë: Nëse iu referohemi disa statistikave, edhe mosha e mjekëve në QKUK po paraqitet si një fenomen shqetësues. Cila është mesatarja e moshës së mjekëve, nëse keni ju të dhëna?

Xhemajl Selmani: Mosha mesatare është mbi 50 vjeç, e që është dëm i madh. Menjëherë pas luftës mosha mesatare e mjekëve specialist ka qenë 35 vjet. Gjatë politikave menaxheriale nuk është bërë planifikimi si duhet, as të specializimeve si dhe ka ikur truri nga Kosova. Kem kushte të vështira për punë dhe paga jo dinjitoze.

Është e vështirë të mbajmë familje me këto paga. Nëse nuk punojnë dy anëtarë të familjes me një pagë nga shëndetësia nuk mund të kujdesesh për familjen tënde. Po besoj që Qeveria e Kosovës do të reflektojë dhe ashtu siç i kemi premtimet, dhe kjo besoj do ta ndal ikjen e mjekëve nga Kosova.

Radio Evropa e Lirë: Pas miratimit të Ligjit për Prishtinën, është hapur edhe njëherë debati rreth mundësisë që Prishtina të ketë spitalin e vet. Sa do ta lehtësonte një spital i tillë punën e stërngarkuar në QKUK?

Xhemajl Selmani: Me këtë numër të popullatës që e ka Prishtina, lind nevoja ta ketë Prishtina një spital, aty ku do të merreshin shërbime edhe specialistike. QKU- ja është aq e ngarkuar sa shpesh na ndodhë të merremi me probleme të nivelit primar, e jo terciar për çka është i dedikuar institucioni i QKUK-së.

Facebook Comments

MineralHygienics.com