I ftuar në studion e lajmeve të Ora News Boçi tha se qeveria duhet të reflektojë dhe të largohet në mënyrë që konfrontimi qytetar mos përshkallëzohet.
“Në rastin konkret PD dëshmoi qartë se nuk kërkon një pushtet të vetëvetes dhe përdorim të masave, por kërkon që proceset demokratike të jenë bazike në mënyrën si menaxhohet demokracia në Shqipëri. Kërkon që kjo qeverisje të gjejë mënyrat për të reflektuar dhe të largohet dhe të marrë të gjitha masat me qëllim që ky konfrontim qytetar të mos përshkallëzohet dhe të kalojë në ato mënyra që janë të pamenaxhueshme edhe nga opozita por edhe nga policia që e gjen forcën reaguese vetëm për të kundërshtuar qytetarët dhe jo krimin”, tha deputetei demokrat Luçiano Boçi:
Referuar dhunës gjatë protestës, ku u godit edhe kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike”, Boçi deklaroi se policia reagon me forcë ndaj qytetarëve që protestojnë dhe jo ndaj kriminelëve.
“Policia në momente të caktuara nuk ishte korrekte në detyrën e saj, jo në këndvështrimin tim politik, por edhe për mënyrën si reagonte, si provokonte, pati edhe indicje, apo raste siç ishte rasti i goditjes së gazetarit të “RD”, e cila u mundua ta kompesojë me pjesën e numrit të policëve të dëmtuar, që ishin pjesë të lehta dhe më shumë ishte një keqmenaxhim nga ana e policisë sesa ishte një goditje që erdhi nga pjesa e protestuesve. Reagimi i policisë për 15 të ndaluar ose fillimin e procedimit penal është një mënyrë për të ngjallur atë panikun që kishte nisur që para protestës për ta finalizuar. Pra është një lloj absurditeti që ndjek absurditetet e tjera të sjelljes në mënyrë reaktive të kësaj policie e cila kur bëhet fjalë për qytetarët që protestojnë, i gjen qytetarët, i ndalon dhe i arreston sic bëri në Kukës, sic kërkon të bëjë me protestën që u zhvillua në kryeqytet. Asnjëherë këtë forcë reaktive, këtë forcë të madhe të trupës policore nuk e tregon kur bëhet fjalë për të arrestuar trafikantët, kriminelët e këtij vendi, për të arrestuar familjet dhe klanet mafioze, që vërtet ministri i thotë në fjalime, por duken si paralajmërime që ato të marrin masa dhe të qëndrojnë larg policisë”, tha Boçi.