PD dhe LSI kanë ngritur zërin sot në komisionin e Ligjeve ku i kanë bërë thirrje kolegëve të mazhorancës që “kush nuk është i përfshirë në krim, s’ka pse të bëhet mbrojtje për Fatmir Xhafajn.”
Kryetari i komisionit Ulsi Manja ka debatuar me Alibeajn duke i kërkuar që t’ia lërë fjalën Avokates së Popullit, të thirrur në komision, “sepse e kishte dëgjuar njëherë atë histori dje”, por Alibeaj nuk e lejoi:
“Nëse ju keni vendosur të mbyllni sytë e veshët si Rama, që ka filluar një pelegrinazh në Gjirokastër, në Tepelenë, një realitet që nuk ekziston….Na thoni pse Edi Rama dhe Fatmir Xhama e kanë vënë nën presion prokurorinë? Pse e keni zhytur këtë vend në këtë vorbull? Këtë duhet të dëgjojë populli, edhe Avokati i Popullit që mbron interesat e popullit.
Ju nuk keni për ta bërë, por në 26 maj do të flitet saktë dhe njëherë e përgjithmonë. Edhe Avokati i Popullit duhet të flasë e t’i japë zë popullit. Nuk e di sesi do ta keni stomak tani e të vazhdoni me miratimin e strukturës së komisionarit të mbrojtjes nga diskriminimi! Secili sot të marrë përgjegjësitë e veta!”
Ulsi Manja ia ka ndërprerë fjalën Alibeajt dhe Balliut dhe i është drejtuar Avokatës së Popullit: “Nuk kam ardhur të dëgjoj babalen këtu…tani do të dëgjojmë Avokaten, sepse ju keni kënduar dje dy orë, këngë me motive pogradecare….”
Por Manja dhe askush nuk është lejuar të vazhdojë me mbledhjen, sepse deputetë e PD-së kanë vazhduar me ngulm të kërkojnë fjalën.