Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ka vijuar takimet në kuadër të Turit të llogaridhënies publike “Puna për Shqipërinë që Duam”, në njësitë Grabian dhe Gradishtë të Bashkisë Divjakë.
Në takim morën pjesë edhe deputeti i zonës, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat Erjon Brace, Kryetari i Bashkisë Divjakë si dhe drejtuesit e institucioneve kryesore vendore.
Në fjalën e tij Ministri Ahmetaj tha se Partia Socialiste dhe qeveria kanë një qasje të re sa i takon komunikimit dhe llogaridhënies para qytetarëve:
“Ne si përfaqësues të popullit por dhe të ekzekutivit, kemi vendosur që të vijmë jo thjesht për zgjedhje, por të vijmë sa më shpesh për t’ju dhënë llogari, për t’ju takuar, për të prekur territorin, për të folur me njerëz, për të ndarë së bashku hallet dhe problemet. Për mua është shumë e rëndësishme e gjithë iniciativa dhe ju e keni parë që qeveria bën mbledhje mujore në territore të ndryshme të Shqipërisë, vetëm për një qëllim, të jemi afër njerëzve dhe për të thyer atë traditën e dikurshme ku qeveria distancohej nga njerëzit dhe bënte politikat nga zyra” – tha Ahmetaj.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë ndau me qytetarët disa nga nismat më të rëndësishme që qeveria ka ndërmarrë, për avancimin e reformave në sektorët kyç, rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rritjen e punësimit. Në mënyrë të veçantë Ahmetaj u ndal tek mbështetja për bujqësinë, sektori kryesor për zhvillimin e kësaj zone.
“Mbani mënd kur Sali Berisha ju thoshte “Kemi TVSH 6% dhe do t’ju rimbursohet vetëm 6%?”
Por cila ishte e vërteta? E vërteta ishte që ju nuk morët asnjë lek. Zero. Jo një lek, apo dy lekë, zero!
Ka qënë iniciativa e Kryeministrit për ta bërë TVSH 20%. Është e vështirë për buxhetin e shtetit, por është shumë e rëndësishme për ju. Po pse?
Sepse ju sot si fermerë, kur keni NIPT-in, keni mundësinë që të rimbursoheni me 20%; 20% të të gjithë autofaturës që bëhët nëpërmjet grumbulluesve dhe fatmirësisht, ju keni shumë grumbullues këtu dhe fatmirësisht, i keni shumë të konsoliduar dhe fatmirësisht, shumica e tyre janë të formalizuar, gjë që ju ndihmon.
E dini se sa kemi rimbursuar vitin e kaluar? 22 milionë dollarë. Janë 22 milionë dollarë që nuk i kishin dikur fermerët por sot i kanë, për shkak të politikës së qeverisë” – tha Ministri duke shtuar se është e domosdoshme që skema të funksionojë duke garantuar që paratë e buxhetit të shtetit të shkojnë realisht tek fermerët.
“Pjesa tjetër ka të bëjë me mbështetjen për bujqësinë. Mbështetja për bujqësinë sivjet në 2018 është realisht më e larta në 27 vite. Janë 26 milionë dollarë, pra afërsisht 22 milionë euro vetëm nga buxheti i shtetit për mbështetjen tuaj.
Ndërkohë, fillon shumë shpejt projekti i Komisionit Europian IPARD dhe kjo është zona që është më shumë e prirur për të përfituar, qoftë si fermerë por qoftë dhe si bashkime bujqësore. E gjithë shuma, së bashku me kontributin e buxhetit të shtetit, shkon në 93 milionë euro” – tha Ahmetaj, duke shtuar se deri tani për këtë vit, mbështetja e buxhetit të shtetit për qarkun e Fierit është 428 milionë euro.
“Çfarë ka ndodhur këtë vit me qarkun e Fierit, me mbështetjen nga buxheti. Deri më sot, për këtë vit janë 428 milionë lekë që janë aprovuar dhe procesi vazhdon, që do të thotë, rreth 4.2 milionë dollarë.
A mjaftojnë për këtë zonë? Patjetër që nuk mjaftojnë për këtë zonë! Unë besoj që do të duhet ta bëjmë më shumë për të promovuar Shoqatat e Bashkëpunimit Bujqësor.
Shoqatat e Bashkëpunimit Bujqësor u prekën përsa i përket anës së taksave, për t’i dhënë mundësi që të lehtësohen nga taksat.
E para, do të trajtohen si fermer i madh pa limit që do të thotë që të përfitojnë rimursim TVSH-je pa qenë nevoja të deklarojnë, dhe e dyta, në politikën që ne kemi për mbështetjen e bujqësisë, këto do të jenë njësitë e para që do të marrin mbështetjen e drejpërdrejtë.
Do të duhet që këtë zonë, ta çojmë në fazën tjetër për të përfituar më shumë, që ju të përfitoni më shumë, që ju të mbështeteni më shumë dhe të përfitoni për veten tuaj më shumë, sepse praktikisht, kjo është zona që ka influencuar rritjen e eksportit bujqësor dhe agrobujqësor në mbi 20% ” – tha Ahmetaj.
Deputeti i zonës Erjon Brace, adresoi disa shqetësime të komunitetit që lidhen me rritjen e eficencës së skemës së rimbursimit në favor të fermerëve, ndarjen e zyrës së hipotekës për bashkinë Divjakë nga ajo e Bashkisë Lushnje, apo edhe për pronësinë e tokave bujqësore, për të cilat tha se kanë iniciuar ndryshimet ligjore përkatëse.
“Së pari për skemën e rimvursimit, do duhet të vazhdojë kontrolli në mënyrë permanente që deri tek bujku i fundit që dorëzon produkt bujqësor, të marrë atë që ne e nxjerrim nga buxheti I shtetit për bujkun, jo për njeri tjetër.
Së dyti, unë dua dhe besoj edhe Kryetari i Bashkisë do ta thotë këtë gjë, që në Zyrën e Regjistrimit të Pasurivë të Paluajtshme të Lushnjes, të ndahet seksioni që merret vetëm me Divjakën, sepse ne nuk mund të rrimë më në rradhë edhe me 10 njësi të tjera vendore që ka Bashkia e Lushnjes.
Hipoteka duhet të jetë e para që duhet të na krijojë hapësirën për qytetarët e Bashkisë së Divjakës.
Së treti, kemi marrë një angazhim, për cështjen e tokës. Ne duhet t’I japim zgjidhje këtij problem, që nuk është thjesht një problem i Divjakës, por i gjithë Shqipërisë.
Është një cështje burokratike, do duhej që Ministria e Bujqësisë ta bënte vetë këtë gjë. Ne duhet t’u japim tokën bujqve sipas vendimeve në fuëi.
Kemi bërë gati edhe ndryshimet ligjore që duhen, qoftë në ligjin 7501, qoftë në ligjin për trajtimin e ndërmarrjeve bujqësore, qoftë në VKM respective, në mënyrë që këtyre njerëzve t’u japim një zgjidhje përfundimtare” theksoi Brace.Javanews