November 24, 2024

Qeveria shtyn me dy vjet afatin për bonot e privatizimit

Qeveria shqipetare ndërmori shtyrjen e afatit ligjor të vlefshmërisë së bonove të privatizimit deri në fund të vitit 2020. Kjo është shtyrja e 7 e afatit të përdorimit të tyre. Në nismën e depozituar në Kuvend, qeveria jep arsyet duke shpjeguar domosdoshmërinë e marrjes së një vendimi të tillë.

“Meqenëse në procesin e privatizimit të pronës shtetërore vazhdon të mos jenë përfshirë ende një numër i konsiderueshëm objektesh, kryesisht në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural apo dhe të organeve të pushtetit vendor etj., si dhe duke gjykuar se shumë prej këtyre objekteve shtrihen në pronat e ish-pronarëve të njohur apo kthyer me vendime të kthimit dhe kompensimit të pronave, mendohet se duhet të vazhdojnë lehtësirat për ish-pronarët, duke e likuiduar një pjesë të vlerës së këtyre objekteve në rast parablerjeje me bono privatizimi (lekë privatizimi).

Llogaritja e aksioneve për punonjësit në shoqëritë aksionare, ku punonjësit e këtyre shoqërive përfitojnë aksione në këmbim të bonove të privatizimit e bën të domosdoshme shtyrjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit (lekë privatizimi)”, – thuhet në relacion.

“Përdorimi i bonove të privatizimit dhe i lekëve të privatizimit në procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje nëpërmjet ALUIZNI-t, ndërkohë që ky proces është në vazhdimësi dhe vazhdojnë të jenë në proces legalizimi një numër i konsiderueshëm objektesh apo banesash, gjykohet se edhe ky proces e bën të domosdoshëm shtyrjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit dhe lekëve të privatizimit”, shkruhet në relacion. Më tej, relacioni evidenton se gjatë tri viteve të fundit, në procesin e privatizimit të pronës shtetërore me të drejtën e parablerjes për ish-pronarët e truallit dhe për subjektet me kontratë enfiteoze apo qiraje, rezulton të jenë arkëtuar rreth 705 000 000 lekë bono privatizimi.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com