November 27, 2024

Rama /‘Mos e lësho Fatmirin, siç lëshove Tahirin, se Saliu nuk ka lëshuar as vrasës’

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur të gjithë qytetarëve që i kanë shkruar në rrjetet sociale, duke i kërkuar që të mos lëshojë ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, siç bëri me ish-ministrin Tahiri, sipas tyre. Nga mbledhja e grupit parlamentar të PS, kryeministri Rama tha se ai nuk do të mbrojë askënd që përballet me drejtësinë, pasi sipas tij përgjegjësia është individuale.

Nga ana tjetër, ai tha se as Partia Socialiste nuk do të bëhet avokati i askujt. Por duke u ndalur tek rasti i ministrit Xhafaj, ai tha se në këtë çështje nuk ka asnjë kërkesë nga institucionet e drejtësisë.

“Dua t’u përgjigjem të gjithë atyre që më kanë shkruar, e sidomos atyre që thonë ‘Mos e lësho Fatmirin, siç lëshove Tahirin, se Saliu nuk ka lëshuar as vrasës’. U them të gjithë atyre që mendojnë kështu, se unë mendoj ndryshe nga ata. E respektoj shqetësimin e tyre, por drejtësia duhet të funksionojë. Jua tregoj edhe pse ne nuk veprojmë dot si ata. Së pari ne nuk jemi ata. As nuk jemi si ata, dhe as nuk mund dhe nuk duhet kurrsesi të bëhemi si ata. Ne nuk jemi të rënë nga qielli, engjëj jo e jo. As të pagabueshëm, as të pakritikueshëm, dhe as të paprekshëm nga të këqijat që prekin njerëzit kur ulen në një karrige.

Por ne kemi një dallim themelor me ta, ne socialistët e mandatuar nga populli marrim përgjegjësi për vendin, dhe mbajmë përgjegjësi për veten. Ndërsa ata janë të papërgjegjshëm për vendin, ndërsa veten e kanë lënë peng prej vitit 1991 tek një njeri. Për 30 vite, për ta parimi është ‘unë të vë e unë të ngre, e t’i mund të vrasësh e të presësh, dhe unë s’të lëshoj’. Por tek ne s’ka qenë kurrë kështu, si kjo sjellje staliniste. Ne jemi shumë ndryshe. Nuk është rastësi që po të kthesh kokën pas, Saliut ia dha mundësinë të krijojë, por kanë prishur më shumë, ndërsa ne gjithnjë kemi ndërtuar sesa kemi prishur.

Në këtë familje politike, gjithsecili i është dhënë një mundësi për të bërë një punë. Por gjithsecili vendin e punës duhet ta mbajë vetë dhe me dinjitet. Kurrë s’kam qenë dhe as mos e prisni të jem i gatshëm të mbroj askënd, dhe as të angazhoj PS për të bërë avokatin e dikujt kur është fjala për t’u përballur me akuzat e organit të drejtësisë”, u shpreh kryeministri Rama.

Facebook Comments

MineralHygienics.com