November 24, 2024

Orikum-Himarë, tjetër koncesion 130 mln euro

Pas rrugës së Arbrit dhe asaj Thumanë-Kashar, qeveria do të japë me konçesion tek privatët edhe një tjetër kontratë të madhe. Bëhet fjalë për rrugën Orikum-Himarë, e cila do t’u kushtojë qytetarëve 130 milionë euro.

Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri zbuloi në Vlorë se kjo rrugë është pjesë e programit 1 miliardë euro të koncesioneve. Burime jo zyrtare nga Ministria e Transportit thonë se për rrugën është gati një ofertë nga një kompani shqiptare e lidhur me dy biznesmenë të afërt me qeverinë, me aktivitet në fushën e ndërtimit, shitjeve me pakicë dhe mediave.

Qeveria vazhdon të zgjerojë programin e konçesioneve mbi bazën e ofertave të pakërkuara edhe pse Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkoi publikisht asaj të ndalojë dhënien e koncesioneve që vijnë si propozime nga privatët.

“Programi i investimeve të qeverisë duhet të jetë konsistent dhe i mirëmenduar. Ai duhet të mbajë parasysh përfitimet totale në rrjetin e infrastrukturës, që vijnë nga investimet e ndryshme. Kjo nuk mund të ndodhë kur Qeveria thjesht miraton propozimet e pakërkuara që vijnë nga privatët, por vetëm kur ajo identifikon strategjinë e saj dhe tenderon publikisht ato projekte, të cilat janë përzgjedhur se kanë përfitimet më të mëdha,” deklaroi pak muaj më parë përfaqësuesi i FMN në Shqipëri, Jens Reinke.

Dhënia në seri e konçesioneve, të cilat shpesh përfundojnë tek biznesmenë të lidhur me qeverinë, ka shqetësuar të gjitha institucionet që mbikqyrin ekonominë shqiptare. Përveç fryrjes së kostove të projekteve duke bërë që taksapaguesit t’i paguajnë  këto vepra me çmime shumë të shtrenjta, një tjetër shqetësim i madh I ndërkombëtarëve është sepse përmes kësaj manovre qeveria po rrit borxhin publik në mënyrë të fshehtë.  shkruan syri.net

Facebook Comments

MineralHygienics.com