Spekulime për një takim mes Trumpit dhe Kim Jong Unit kishte prej kohësh. Tani Presidenti i SHBA-së njoftoi në Twitter për kohën dhe vendin e samitit.
Samitit mes Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe sundimtarit të Koresë së Veriut Kim Jong Un planifikohet të mbahet më 12 qershor. Si vend për takimin është përzgjedhur Singapori. Trump shkroi në Twitter: “Ne do të përpiqemi të dy të bëjmë diçka të veçantë për paqen botërore!”
Sipas informacioneve nga Departamenti Amerikan i Shtetit takimi planifikohet të jetë njëditor, por nëse është e nevojshme takimi mund të zgjatet edhe të nesërmen.
Eliminimi i pengesës së fundit
Trumpi së bashku me zëvendëspresidentin Mike Pence pritën para njoftimit për takimin tre shtetas amerikanë, që kishin qenë të burgosur në Korenë e Veriut. Ata u larguan nga Koreja e Veroit së bashku me ministrin e jashtëm Mike Pompeo, i cili ishte takuar me Kimin në Korenë e Veriut për të përgatitur samitin. Samiti i dy politikanëve konsiderohet si ngjarje historike, sepse deri tani asnjë president i SHBA-së nuk është takua me udhëheqësit komunistë të Koresë së Veriut.
Trumpi e konsideroi lirimin e shtetave amerikanë si një shenjë e mirë për samitin. Ai tha se shpreson që do të arrihet një marrëveshje në grindjen për denuklearizimin e Koresë së Veriut. “Unë mendoj se kemi një shans për të arritur diçka të vërtetë të rëndësishme,” tha presidenti i SHBA-së.
Kërkësa për denuklearizim
Largimi i tre të burgosurve konsiderohej si parakusht për një takim midis Trumpit dhe Kimit. Megjithatë një gjë e tillë nuk qe pranuar kurrë zyrtarisht nga pala amerikane. SHBA-ja kërkon gjithashtu edhe denuklearizimin e plotë të gadishullit korean dhe njoftoi se sanksionet amerikane do të mbeten në fuqi edhe pas arritjes së marrëveshjes, derisa sa fjalët të ndiqen nga fakte.
Por termi denuklearizim mbetet e paqartë, sepse të dyja palët mund ta interpretojnë atë sipas dëshirës. SHBA pret nga Koreja e Veriut që të heqë dorë nga armët bërthamore. Koreja e Veriut ka zhvilluar vazhdimisht prova me armë bërthamore, duke shkelur një numër rezolutash të OKB-së.