November 27, 2024

Si është Almeda në të vërtetë sipas parterit të saj Rudit

Mjeshtër i batutave, Rudi Hizmo duket se është në vendin e duhur si moderator i spektaklit VIP të kërcimit “Dancing with the Stars”. Me partnere Almeda Abazin, ish-Miss Shqipëria dhe një aktore që vjen me eksperiencën e saj nga bota e televizionit turk, Rudi në këtë intervistë për “Panorama Plus” zbulon më shumë detaje nga paskuintat e show-t.

Ishim mësuar të të shihnim si dyshe e pandarë me Mateo Çelën, i cili vazhdon të moderojë një program politik në Intv. Pse u ndanë rrugët tuaja në televizion?

Sepse unë ika nga “In” dhe ai donte të qëndronte. Unë jam nga bregu, ai është nga fusha… E dua fort si njeri. Po ashtu si në jetë, mendoj që njeriu duhet të udhëtojë ashtu edhe në profesion, duhet të eksperimentojë nëse vërtet do të rritet. Kur ika e ftova të vinte, por zgjodhi të qëndronte dhe e respektoj maksimalisht zgjedhjen e tij të gabuar. (qesh)

Moderator në “Dancing with the stars”, si do i komentoje të premtet me VIP-at në “Gold Room”?
Ky edicion special i shtatë me rikthimin e VIP-ave nga edicionet e kaluara e ka kthyer nga grup konkurrentësh, në një shoqëri argëtuese, pasionante dhe të talentuar. Janë njerëz interesantë prej të cilëve mund të mësosh dhe të argëtohesh në të njëjtën kohë. Të premtet kanë larmi, energji dhe të papritura dhe besoj se çdokush do të donte të ishte në vendin tim.

Cilët prej tyre i ke pasur miq e mikesha, apo që je afruar gjatë këtij spektakli?
Nuk do të specifikoja njerëz, sepse janë të gjithë shumë miqësorë. Një pjesë të mirë i njihja paraprakisht, ndërsa Viktor Zhustin dhe Soni Malajn i njoha aty dhe i vlerësoj jashtëzakonisht, edhe pse i njoh për pak kohë.

Prezantimi që u bën ti atyre vjen i lirshëm dhe jashtë skemave klasike që jemi mësuar të shohim në televizion. Nga ngacmimet që u bën VIP-ave, kush të duket se i toleron batutat dhe kush aspak?
Duket i lirshëm, por sivjet po i qëndroj më shumë natyrës së formatit, pra, skenarit. Nuk pyes kurrë për çështje që s’kanë të bëjnë me “Dancing”, prandaj dhe deri tani nuk janë bezdisur.

Si po të duket Almeda Abazi si prezantuese, keni atë kiminë e domosdoshme për të qenë partnerë skenikë?
Almeda është një vajzë më e mirë dhe tolerante sesa ç’mund të imagjinojë dikush. Ka një mirësi që tejkalon bukurinë e saj. Është e pamundur që të mos krijosh kimi dhe raporte të shëndetshme njerëzore me një tironse aq të omël.

Kë do të veçoje si çiftin më spektakolar në skenë dhe atë më të këndshëm në “Gold room”?
Si kërcim skenik pëlqej Soni Malaj, si performancë skenike qesh me Kristi Popën, ndërsa mendoj se njeriu me aktiv, si para ashtu edhe jashtë kamerave, është Niko Komani.

Sa i takon jurisë, komentet e cilit anëtar jurie dëgjon me ëndje dhe atë që ndoshta s’të ngjall interes?
Janë shumë të ndryshëm dhe secili plotëson njëri-tjetrin, për të dhënë një vlerësim në shumë dimensione. Ilir Shaqiri është mjeshtër për teknikën e kërcimit, Ema Andrea e emocionit skenik, Alfred Kaçinari për përshtatjen muzikale dhe Julian Deda për përshtatjen aktoriale. Të gjithë janë të zotët në profesionet e tyre dhe disponojnë shumë humor, kështu që janë në shumicën e kohës interesantë.

Ty do të të shohim duke kërcyer dhe çfarë disipline do të të përshtatej?
S’e kam akoma idenë, edhe pse do të doja të sfidoja Almedën në një dance off. Ngelet për t’u parë në vazhdim, nëse do ta bënim një garë.

Më parë ke provuar moderatorin e një programi në “In tv” me tematikë nga aktualiteti dhe skena show si “Kënga Magjike” e “DWS”. Skena që të përshtatet më mirë ty?
Një skenë që do t’i kombinonte idealisht të gjitha. Jam akoma duke kërkuar për atë që do më japë kënaqësinë dhe përgjegjësinë që i takon moshës dhe eksperiencës që kam krijuar.

Dukesh aq detajist, sa vështirë të pëlqesh një femër në gjithë kompleksitetin e saj. Me cilën ta ndjen zemra të bësh dashuri?
Në këtë fazë që jam, dua të dashuroj, të bëj ose mos të bëj dashuri. Kompleksiteti i femrës është i mirëpritur, por problemi janë komplekset.

Për çfarë kompleksesh e keni fjalën?
Janë komplekset që mendoj se kushtëzojnë ndërtimin e raporteve të shëndetshme dhe, për momentin, s’jam i sigurt nëse jam edhe unë i lirë prej tyre. Do mirëprisja një njeri që të mund t’i jepesha vërtet, sepse janë këta lloj njerëzish që të përmirësojnë mendërisht, emocionalisht dhe fizikisht, por besoj se të gjithë biem dakord që kjo është diçka që nuk planifikohet.

Facebook Comments

MineralHygienics.com