Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me qytetarët në Laç në kuadër të llogaridhënies së qeverisë. Gjatë debatit me qytetarët, Rama i ka kërkuar drejtorit të Hipotekës që të zgjidhë një problem të ngritur brenda pasdites së të mërkurës.
“Pres përgjigje nga ti deri pasditen e nesërme, në të kundërt do të vij mesazhi im për ty që nuk do jetë aspak i mirë”, paralajmëroi Rama kreun lokal të Hipotekës, lidhur me problemin e legalizimit të një shtëpie.
Por në jo pak raste, Kryeministri ka humbur durimin në sallë, pasi qytetarët i kanë shprehur shqetësimet.
Batutat e Ramës
Rama: Jepja pak mikrofonin atij burrit me mustaqe në fund.
Qytetari: Përshëndetje.
Rama: Jo mo vëlla, se e kisha me atë me mustaqe në fund, e di pse se ti ke flok ai nuk ka
Qytetari: Nuk ka rëndësi
Rama: Jo ka rëndësi plot. Po si ka mundësi që flet kaq shumë, pa punë po pa ndihmë ekonomike po, prit tani ti jap përgjigje atij apo do ja japësh ti.
Qytetari: Hiqe atë nga puna…
Rama: Oooo, ca është kjo punë hiqe atë nga puna. Ti më thua mua që hiq atë nga puna se e paske inat një njeri. Zotëri më fal që po ta them por po e tepron. O zotëri ka mundësi tani që të pushon se ka dhe njerëz të tjerë që duan të flasin.
Qytetari: Prej 1 muaji spitali i Laçit është pa drejtor, nuk marrim dot rrogën se duhet ta firmosë drejtori. Kaq vështirë e ke të gjesh një drejtor…
Rama: Mos u mërzit se do të vijë edhe drejtori meqë e paske kaq shumë qejf dhe nuk punon dot pa një drejtor mbi krye. Do të vijë edhe drejtori, do ta zgjidhim edhe këtë hall që ke…
Qytetari: Ky ilaçi që përdor unë se jam i sëmurë kushtonte 60 mijë lekë sot kushton mbi 200 mijë lekë, unë jam pa punë, pa pension, pa asnjë të ardhur…
Rama: Ka pak konfuzion tani me këtë listën e barnave, por do flasim bashkë dhe do të sqaroj…