Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka urdhëruar drejtorët e shkollavë që nxënësit të dorëzojnë në shkollë kartat e identitetit të prindërve. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas një mesazhi të marrë nga një prind. Prindi hedh dyshime se mos kartat do të klonohen për zgjedhje.
“Ndrikull Nikolla urdhëron që nxënësit të dorëzojnë në shkollë kartat e identitetit!- shkruan Berisha. – Qytetari dixhital denoncon: “Pershendetje profesor, Jam ndier i shokuar kur erdha ne shtepi dhe ime bije me kerkon numrin e kartes identitetit sepse e do mesuesja, kontaktova me mesazhe mesuesen dhe me thote qe i kerkon drejtoria, me urdher nga lart. Po mire une qe po i kerkoj llogari dhe nuk do i jap identitetin po ata qe nuk e kuptojne dhe e dorezojne kete numer identiteti cfare do i ndodhe? Mos valle do klonojne karta per zgjedhje?”, shkruan qytetari.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe deputetja e PD, Albana Vokshi në një postim në Facebook:”Një porosi rrufe dhe e paligjshme nga Ministria e Arsimit është shpërndarë sot pasdite në të gjitha shkollat e vendit.
Kjo është tabela që mësuesit kujdestarë duhet të mbushin duke detyruar nxënësit të sjellin në shkollë: kartat e identitetit të prindërve, numrat e telefonave, adresat e e-maileve dhe të dhëna të tjera personale. “Tabela është shpërndarë me urgjencë, duke kërkuar që të mbushet brenda ditës së nesërme. Në disa raste, për shpejtësi, prindërve u është kërkuar ose t’i nisin të dhënat me sms apo edhe fotokopje e kartave të identitetit të prindërve. E kjo, vetëm me urdhër verbal, në fshehtësi të plotë, pa dhënë asnjë arsye pse duhen këto të dhëna.
Ky urdhër i Ministres Nikolla, është jotransparent, i paligjshem dhe abuziv! Legjislacioni në fuqi për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ndalon rreptësisht përdorimin apo përpunimin e tyre pa ditur qëllimin. I kërkojmë Ministres Nikolla të japë sqarime kush ka kërkuar të dhëna që me ligj konsiderohen private dhe për cilën arsye?
U bëjmë thirrje prinderve të refuzojnë dhënien e të dhënave personale, pasi përveç ngjan si një histori “spiunazhi”, është krejtësisht i paligjshëm dhe të dhënat e tyre rrezikojnë deri sigurinë e jetës.
Prinderit të refuzojnë dhënien e çdo informacioni pa marrë sqarime pasi ligji (Nr. 9887, datë 10.3.2008) përcakton qartë që prindi duhet të japë pëlqimin për përpunimin e të dhënave të veta si dhe të jetë i informuar mbi qëllimin dhe përpunuesin e të dhënave (Neni 7)”, shkruan Vokshi.