Ndonëse bankat raportuan se do të shtrëngojnë kushtet e kredisë, ku një prej mekanizmave për ta bërë këtë ishte rritja e normave të interesit, kjo nuk ka filluar të ndodhë ende.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se në muajin mars, interesi mesatar i huave të reja në lekë ka shënuar rënie për të dytin muaj radhazi, duke zbritur në 6.92%, nga 7.12% që ishin në shkurt dhe gati 8% që kishin arritur në muajin janar. Interesat kanë rënë kryesisht për huatë afatshkurtra dhe janë rritur lehtë për afatin më të lartë sesa 5 vjet.
Në rënie edhe më të fortë ishin dhe interesat e huasë në euro, ndonëse pritej që kredia në monedhën e përbashkët të bëhet më e shtrenjtë pas politikës së de-euroizimit të Bankës së Shqipërisë, që synonte të ulte peshën e kredisë në valutë në ekonomi. Interesi mesatar në mars për një kredi në euro ishte 3.58%, niveli minimal i raportuar rekord ky i vitit të fundit. Disa banka kanë reklamuar muajin e fundit hua për shtëpi në euro, interesat e të cilave ishin 1.9% për muajin mars.
Pavarësisht rënies, bankat kanë raportuar në Vrojtimin e Kredisë së publikuar nga Banka e Shqipërisë se në tremujorin e dytë ato pritet të shtrëngojnë kushtet e kredidhënies si për bizneset ashtu dhe për individët, përmes kërkesave më të forta për kolateral dhe interesave më të larta.
Ndaj ky është momenti më i mirë për të marrë hua, përpara se interesat të fillojnë rritjen.