Vetëm në muajin tetor të vitit të kaluar Ina Jashari peshonte plot 110 kg. Kishte provuar vetëm një vit më herët të binte në peshë, por mënyra ishte drastike: “Provova një vit më parë të bija në peshë me një dietë drastike dhe jo të shëndetshme. Rashë 15 kg, por nuk haja pothuajse asgjë. Pija vetëm ndonjë kafe tek-tuk…” – rrëfeu Ina, me profesion gazetare, pasditen e sotme në studion e “Rudina”.
Pas kësaj sprove, nuk pa ndonjë rezultat të dukshëm, por ç’ishte më e rëndësishme, nuk ishte një dietë e shëndetshme që ta bënte ta vazhdonte. Ndaj edhe nuk vijoi për shumë gjatë…
Siç rrëfeu më tej Ina, problemet shëndetësore i ishin shtuar edhe për shkak të mbipeshës. Dalëngadalë, edhe gjendrrat tiroide kishin filluar t’i shkaktonin probleme shëndetësore, ndaj e vetmja zgjidhje ishte ‘dorëzimi’ në një klinikë private, e cila e ka ndjekur rregullisht për disa muaj. Fokusi, këtë herë ka qenë analiza laboratorike e organizmit të Inës, ushqimi i shëndetshëm i trupit të saj, si edhe specifika të organizmit, të cilat, më herët, ajo i kishte anashkaluar: “Nëse do ma kishit bërë ftesën disa muaj më parë, unë as nuk do të guxoja të vija në studion tuaj…” – i tha Ina Rudinës sapo hyri në studio, por tani e ndien veten shumë mirë, më të lehtë dhe, mbi të gjitha, shumë të shëndetshme.
Qëllimi, siç tha gazetarja, ishte të dilte publikisht për t’ua këshilluar këtë metodë natyrale, të gjithë të rinjve të cilët, për shkak të obezitetit, e ndiejnë veten ‘jashtë’ mjedisit të tyre social (si ajo dikur).