November 25, 2024

Edhe miqtë socialdemokratë gjermanë i kërkojnë Ramës, `kokën` e Saimir Tahirit

Pavarësisht se kryeministri, Edi Rama, deri pak përpara takimit me kancelaren Merkel u përpoq që ta shesë skepticizmin e Gjermanisë ndaj një “po-je” për hapjen e negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë, pasojë e lobimit të ndonjë deputeti mik të Partisë Demokratike, e vërteta po shfaqet hapur dhe ndryshe.

Rama pranoi, se takimi mes tij dhe kancelares Merkel që zgjati plot 90 minuta ishte “shterues”. Pas përfundimit të tij u kuptua qartë, se Gjermania zyrtare nuk “gënjehet” lehtë nga raporti rekomondues Mogherini&Hahn.

Merkel foli për parakushte të tjera deri në Qershor, kurse deputetët konservatorë të partisë së saj u treguan gjatë takimeve me kryeministrin shqiptar edhe më konkretë, duke i përmendur rastin “Tahiri” dhe mos ndëshkueshmërinë në radhët e mazhorancës, për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

Që gjermanët të djathtë dhe të majtë janë në një mendje në këtë drejtim, e tregoi edhe takimi i Ramës me socialdemokratët. Vetë Michael Roth, aktualisht ministër për Europën ja tha troç dhe në sy Edi Ramës, se Reforma në Drejtësi me të cilën ai mburret nuk mund të bëhet dhe të ketë sukses, pa një proces të drejtë për ish-ministrin e Brendshëm socialist Saimir Tahiri. Detaje nga ky takim ka publikuar mbrëmë vonë, DW në gjuhën shqip.

“Në mbrëmje, Rama pati një takim më të ngrohtë, në fondacionin e partisë socialdemokrate, simotrës së Partisë Socialiste në kuadër të Internacionales Socialiste. Rama ishte ftuar aty të diskutonte me ministrin gjerman për Evropën, Michael Roth, për Shqipërinë dhe mundësinë e çeljes së negociatave. Roth vuri në dukje se çelja e negociatave nuk pritet me eufori nga vendet anëtare të BE-së. “BE po kalon kohë të vështira, sepse ka një sërë problemesh të brendshme dhe nuk është e gatshme për anëtarë të rinj.”

Veç lëvdatave për arritjet në procesin e Vettingut, Roth nuk harroi t’i kujtonte mikut të tij socialist, se reforma gjyqësore pa një proces kundër ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri, nuk mund të bëhet. Ndaj duhet filluar procesi gjyqësor kundër ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahirit për të dëshmuar kështu, se pavarësia e gjyqësorit me të vërtetë funksionon, tha Roth”, raporton DW.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com