Hera e fundit që foli me motrën e tij ishte para dy ditësh. Arton Sekiraqa nuk e di a do të ketë mundësi të bisedojë sërish me Ermirën, e cila ndodhet në një kamp të ISIS-it në Siri. Motra, në telefonatën e fundit, i ka treguar Artonit për rrezikun që e pret atë brenda këtij kampi ku janë të mbyllur 8 mijë vetë, kryesisht gra dhe fëmijë.
“Ngom, nesër vjen një njeri e kam emrin Harun. Ka me i lexu ni letër me emra. Nuk e di a e kom emrin aty a jo. Nëse e kem na marrin na qojnë dika se di ku. Unë shpejt të kallxoj ty”, ka thënë Ermira.
Tashmë, prej një jave në kampin ku Ermira po mbahet me dy fëmijët e saj, pjesëtarë të ISIS po i marrin gratë dhe po ua shesin pjesëtarëve në zonën e luftës, raporton “T7”.
14 gra, sipas Ermirës, tashmë u larguan me forcë, e në listën tjetër të njëjtin fat mund ta ketë edhe Ermira, përcjell albinfo.ch.
Ermira nga Prishtina, ishte nisur për në Siri para katër vitesh me bashkëshortin e saj, i cili tashmë është vrarë gjatë luftimeve kurse ajo është martuar me një shqiptar nga Maqedonia për fatin e të cilit nuk dihet.
Shpresa e vetme për familjen Sekiraqa nga Prishtina ka mbetur ndihma nga shteti i Kosovës. Ka tre muaj kur Artoni ju është drejtuar me një kërkesë.
Sekirqa po mundohet në çdo formë ta kthejë motrën e tij në Kosovë e cila po jeton tmerrin bashkë me dy fëmijët e saj; Ismailin 3 vjeç dhe Ibrahimin 6 muajsh.
Në këtë kamp përveç Ermirës janë edhe tre gra tjera nga Kosova. Njëri nga Gjilani, një nga Prizreni dhe një tjetër nga Mitrovica me nga dy fëmijë secila.
https://youtu.be/IIbvCgHpuF0