Edhe nga fakti që tatimi i vendosur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë fillimisht u cilësua ndihmë për bizneset, Serbia ka gjetur një rrugë tjetër për të mos e paguar atë.
Kështu ka bërë të ditur drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Muharrem Farizi. Farizi në një intervistë për EkonomiaOnline ka thënë se kanë informata që mielli i Serbisë është duke u importuar në Kosovë, në emër të firmave të Bosnjës.
Ai teksa ka thënë se vendimi i ministrit të MTI-së, Bajram Hasani ka qenë ndihmë për tregëtarët e miellit, prapë është arsyetuar se këta të fundit nuk kanë fuqi të mbrohen nga tregtarët serbë.
“Me ardhjen e qeverisë Haradinaj, me ardhjen e ministrit Hasani na mirëkuptoi, mori vendim dhe ka pasë një reagim të menjëhershëm të Serbisë, por edhe në këtë temë tregtarët janë më të zotë dhe kanë gjetë vrima.
Në momentin e fundit kemi informata se vjen mielli i Serbisë në emër të firmave të Bosnjës në mënyrë që të mos tatimohet me 4 centë. “Ajo në fillim na ka ndihmuar, por të jemi të vetëdijshëm se edhe organizimi ynë nuk është i tillë ngase mullisët janë mjeshtër, nuk janë biznesmenë të rinj që horizontin edhe nga aspekti financiar ta hulumtojë”.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, vitin e kaluar ka vendosur masën mbrojtëse për prodhuesit vendës. Sipas vendimit të ministrisë që Hasani drejton, mielli që importohet nga Serbia do të paguajë tarifë prej 0.04 cent për import të tij. (b.an)