Verne Troyer, aktori i njohur i “Austin Powers” është ndarë nga jeta në moshën 49-vjeçare. Gjithashtu, ai ka luajtur edhe rolin e “Griphook” te “Harry Potter”.
Ka qenë familja e tij që ka dhënë lajmin e hidhur për miqtë dhe fansat, përmes një deklarate.
“Me trishtim të madh dhe zemër të rënduar shkruajmë se Verne sot ka vdekur. Verne ishte një individ jashtëzakonisht i kujdesshëm.
Ai donte që t’i bënte të gjithë të buzëqeshnin, të lumtur, dhe qeshnin. Secilin që kishte nevojë ai do ta ndihmonte në çdo masë që ishte e mundur.
Verne shpresonte se do të bënte ndryshime pozitive me platformën që kishte dhe punonte për ta përhapur atë mesazh çdo ditë”,- thuhet në deklaratë.
Siç raportojnë mediat e huaja, Troyer kishte vuajtur nga problemet me alkoolin për shumë vite dhe kishte qenë në rehabilitim disa herë, ndërkohë që ende nuk dihen rrethanat se si ka ndodhur ngjarja.
49-vjeçari njihet për rolin e tij si “Mini-Me”, në serinë e filmave komedi “Austin Powers”. Në këtë film ai luante përkrah Mike Meyers.
Troyer kishte lindur me një çrregullim gjenetik të njohur si “achondroplasia dwarfism”, duke e lënë atë vetëm 81 centimetra i gjatë.
Aktori, kohët e fundit, ka vuajtur nga problemet me alkoolin dhe gjatë këtij muaji ishte dërguar në spital për kurim, por nuk ka një deklaratë mbi shkaqet e vdekjes së tij.