November 25, 2024

Marrëveshja Shqipëri-Greqi, shtyhet afati

Marrëveshja me tre pika mes Shqipërisë dhe Greqisë duket se nuk do të shohë dritën jeshile këtë muaj, ashtu siç kishte deklaruar publikisht kryeministri Edi Rama.

Bisedimet mes Shqipërisë dhe Greqisë mund të mbyllen brenda muajit të ardhshëm. Në një intervistë për mediat greke, Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kocias, tha se ndasitë e fundit mes Tiranës dhe Athinës, pritet të sheshohen në mbledhjen e radhës, në javët e ardhshme.

Ashtu si në daljet e mëparshme, Ministri Kocias tha se në bisedimet me palën shqiptare nuk është diskutuar asnjëherë “çështja çame”, pasi Athina nuk e pranon atë. Sa u përket pronave që pretendohen nga komuniteti çam, për Kocias ato i mbeten shtetit grek, për sa kohë ligjërisht qëndron në fuqi ligji i shumëdebatuar i Luftës. Duke shpjeguar procedurat e Kushtetutës së Shqipërisë, të cilat i konsideroi të vështira, Kocias tha se tashmë që Presidenti Ilir Meta i ka dhënë dritën jeshile qeverisë, bisedimet kanë mbetur te formalitetet e fundit. “Këto janë probleme që ekzistojnë prej 80 vjetësh. Kur marrëveshja të vijë në parlament, do të befasoheni me ato që kanë bërë të dy palët ndër vite”,  citohet kryediplomati grek nga mediat helene.

Ky pritet të jetë takimi i tretë mes ekipeve negociatore, pas atyre të Kretës dhe të Korçës.

Kryeministri Rama dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati kanë artikuluar se në tryezën e bisedimeve mes dy vende janë 3 çështja: deti, çështja çame dhe ligji i luftës.

Facebook Comments

MineralHygienics.com