November 27, 2024

‘Mos më dëboni se do më vrasin!’: Shqiptari hyn në grevë urie

Autoriteti belg i emigracionit do ta dëbojë një shqiptar në vendin e tij, i cili konsiderohet si vend ‘me prejardhje të sigurt’, por ky njeri ka frikë të dëbohet në Shqipëri për shkak të mafias vendase.

Shtetasi shqiptar i burgosur në Vottemi në Belgjikë, para 25 ditësh ka filluar grevë urie, ndërsa para tre ditësh edhe grevë të etjes, kanë informuar të enjten nga Kolektvi për rezistencë të qendrave për të huaj (CRACPE).

Kolektivi në fjalë do ta tërheqë vëmendjen e opinionit për këtë rast, para se të gjendet ndonjë zgjidhje e mundshme, në mënyrë që shqiptari të mund të qëndrojë në Belgjikë.

“Jemi duke u shqetësuar se jeta e këtij shqiptari është në rrezik dhe nuk po mund ta marrim më tepër informata për gjendjen e tij, pasi ai është burgosur”, pohojnë për të përditshmen “7 sur 7”, transmeton Albinfo.ch. Sipas informatave të tyre, shqiptari tashmë ka humbur më tepër se shtatë kilogramë në peshë, në kuadër të grevës së tij të urisë, dhe janë të bindur se greva e etjes mund të ketë pasoja të paparashikueshme, posaçërisht për veshkat, ka njoftuar France Arets, zëdhënëse e CRACPE.

“Enti belg i emigrimit do ta dëbojë shqiptarin në vendlindjen e tij, e cila llogaritet si vend ‘me prejardhje të sigurt’. Ky njeri ka frikë të dëbohet në Shqipëri për shkak të mafias lokale”, thotë më tej zëdhënësja.

Nga ana tjetër, Enti belg i migrimit pohon se Shqipëria llogaritet si vend me prejardhje të sigurt dhe se shtetasit e saj i nënshtrohen një procedure të përshpejtuar të azilit.

Facebook Comments

MineralHygienics.com