Komisioni Europian rekomandoi sot hapjen e negociatave për Shqipërinë, ndërsa në qershor pritet që të shprehet Këshilli lidhur me këtë rekomandim. Rekomandimi ka sjellë një seri reagimesh në politikën shqiptare, ndërsa kjo është hera e 3-të që Komisioni bën një propozim të tillë.
Rekomandimi i KE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë është pasqyruar në mediat ndërkombëtare.
”Financial Times” shkruan se përplasja për ndikim strategjik në Ballkanin Perëndimor filloi sot kur Komisioni Europian rekomandoi fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë për t’iu bashkuar BE-së.
Ky rekomandim duhet të marrë një miratim përfundimtar në qershor nga krerët e shteteve të BE-së, të cilët do të peshojnë zgjerimin me shqetësime që prekin krimin e organizuar, korrupsionin dhe mosmarrëveshjet dypalëshe në rajon.
Shqipëria dhe Maqedonia do t’i bashkohen dy shteteve të tjera ballkanike, Serbisë dhe Malit të Zi, në bisedimet për në BE.
”Washington Post” shkruan se Komisioni Europian rekomandoi që BE-ja të fillojë bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë, ndonëse entuziazmi për zgjerim të bllokut të 28-kombeve ka rënë.
“Krahu ekzekutiv i BE-së, që monitoron progresin e reformave mes vendeve që shpresojnë t’i bashkohen”, njoftoi sot se dy vendet janë në rrugën e duhur.
“New York Times” thekson se Komisioni Europian rekomandoi fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë edhe pse entuziazmi për zgjerimin në bllokun e 28 vendeve ka rënë”.
”Dy vendet janë në rrugën e duhur”, tha ky komision.
”Le Figaro” shkruan se ”Komisioni Europian u propozoi sot shteteve anëtare të BE-së të hapin negociatat për një aderim të Shqipërisë dhe Maqedonisë”.
“Komisioni Europian propozoi që Këshilli të hapë negociatat për aderim të Shqipërisë dhe Maqedonisë”, deklaroi Mogherini gjatë një konference për shtyp në Strasburg ku Parlamenti Europian është mbledhur në sesion plenar.
“Le Monde” shkruan “A do të zgjerojnë Bashkimin Europian dy vende të reja të Ballkanit? Komisioni Europian u propozoi, sot më 17 prill, shteteve anëtare të Unionit të hapin negociatat për një aderim të Shqipërisë dhe të Maqedonisë.