Edhe pse rezultati është paraprak, është mjaft domethënës dhe tregues i fortë që vërteton bindjen e përgjithshme para këtij procesi zgjedhor në Mal të Zi.
Kur janë numëruar pak më shumë se 10 për qind e votave në total, Milo Gjukanoviç kryeson, madje e bën këtë duke marrë më shumë se 50 për qind të preferencave.
Sipas asaj që raporton Komisioni i Zgjedhjeve në Podgoricë, Gjukanoviç ka siguruar deri më tani 55.9 për qind, ndërsa rivali i tij kryesor, Mladen Bojanic vetëm 34 për qind.
Asnjëri prej kandidatëve të tjerë nuk e kalon shifrën e 10 përqindëshit të preferencave, të paktën deri më tani.
Sipas projeksioneve të analistëve vendas, në përfundim të numërimit Milo Gjukanoviç do të arrijë që të sigurojë më shumë se gjysmën e votave, që do t’i jepte atij një tjetër mandat 5-vjeçar në krye të Malit të Zi si President.
Për Gjukanoviç kanë votuar edhe shqiptarët. Analistët shqiptarë në Ulqin thonë se kjo është zgjidhja për të shpëtuar jo vetëm shqiptarët, por gjithë politikën e rajonit.
Kush është Milo Gjukanoviç?
Në pushtet prej 27 vitesh, herë si kryeministër e herë si president, i pasur po ashtu, ai është njeriu që udhëhoqi fushatën e suksesshme të Malit të Zi për Pavarësinë. Ai u zgjodh kryeministër për të parën herë në ditëlindjen e tij të 29, në vitin 1991, e është i vetmi udhëheqës i një ish-republike jugosllave, që ka mbijetuar në krye që prej shpërbërjes së Federatës së vjetër.
Fillimisht, ai ishte një nga të preferuarit e Sllobodan Milosheviçit, por kur Sllovenia, Kroacia, Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina shpallën Pavarësinë në vitet ’91-’92, Gjukanoviç mbështeti vendimin e Malit të Zi për të qëndruar bashkë me Serbinë në Federatën jugosllave, tashmë shumë të reduktuar.
U desh të pritej deri në vitin 1997, që ai të distancohej me regjimin e Milosheviçit, kur kreu deri më atëherë i pathyeshëm, por tani i dobësuar, po përpiqej të anulonte fitoret e kundërshtarëve të tij në zgjedhjet lokale në Serbi.
Po atë vit, ai siguroi fitoren në zgjedhjet presidenciale të Malit të Zi dhe nisi punën për më shumë autonomi, e pse jo edhe për Pavarësi. Gjatë sulmeve të NATO-s mbi Jugosllavi, si pasojë e raprezaljes së Milosheviçit mbi Kosovën, ai deklaroi se Mali i Zi nuk ishte palë në konflikt.
E kjo i dha atij pëlqimin dhe mbështetjen e konsiderueshme financiare nga BE-ja dhe SHBA-të. Admirimi i Perëndimit për Gjukanoviçin u shndërrua në frustrim, kur udhëheqësi malazez këmbëngulte për Pavarësinë edhe pas rënies së Milosheviçit nga pushteti, në vitin 2000.
Ai e udhëhoqi vendin drejt Pavarësisë dhe partinë e tij drejt fitoreve të tjera. Tani, ai do të tregojë edhe një tjetër herë se është i pamposhtur dhe e paraqet veten si mbështetës të Perëndimit dhe garantues të vazhdimësisë së shtetit malazez.
Pavarësisht se shpeshherë është vënë në shënjestër të akuzave për korrupsion, në vendin me vetëm 600 mijë banorë, ai duket se di ku të godasë. Sesa gjatë do të vazhdojë të qëndrojë në krye Gjukanoviç, kjo është një tjetër çështje, pavarësisht se në disa raste, ai vetë ka folur për planet për t’u tërhequr nga politika dhe për t’u përqendruar te biznesi.