Ish-Presidenti Bujar Nishani ka komentuar vizitën e pritshme në Tiranë të Komisioneres së Lartë për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini dhe Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn.
Nishani shprehet se vizitat e këtyre përfaqësuesve përveçse janë të mirëpritura, janë shumë të rëndësishme, pasi demostrojnë vëmendjen, angazhimin dhe miqësinë e BE për Shqipërinë.
“Vizita e zyrtarëve të lartë të Brukselit pritet me shumë shpresë nga opinioni publik në Shqipëri. Me shpresën se të vërtetat e hidhura të jetës së përditëshme të tyre nuk pranohen nga ata që kanë ndërtuar një realitet ndryshe dhe njerëzor për qytetarët e tyre.
Me shpresën, se fuqia e këtyre vendeve dhe shoqërive, gjeneruar nga liria dhe e drejta, më së paku ka forcën të mbajë gjallë besimin tek ata që ende përpiqen për të njëjtat parime dhe realitete që mysafirët përfaqësojnë”, shkruan Nishani në komentin e tij në rrjetet sociale.
Në vijim, ish-Presidenti shprehet se natyrisht që shqiptarët e kuptojnë fare mirë, se një vizitë e tillë sado e rëndësishme që të jetë, nuk do ta ndryshojë realitetin e hidhur që ata përjetojnë, sepse së pari nuk janë miqtë dhe partnerët e shqiptarëve ata që e kanë krijuar këtë situatë.
“Më e pakta që opinioni publik pret nga Evropa është denoncimi i padrejtësive, pabarazive, pamundësive, mohimeve dhe kufizimeve që dominojnë sot jetesën e familjeve të tyre. Shqiptarët kanë të drejtë tu mundësohet një proçes votimi i lirë e i pa ndikuar si nga shantazhi i forcës së shtetit ashtu dhe kërcënimi i krimit”, shkruan Nishani.
Komenti i ish-Presidentit Bujar Nishani
Media ka njoftuar një vizitë të afërt të Komisioneres së Lartë për Politikën e Jashtëme të BE, Znj. Mogherini dhe Komisionerit për zgjerim Z. Hahn.
Vizitat e këtyre përfaqësuesve të lartë përvecse të mirëpritura janë shumë të rëndësishme për ne, pasi së pari demonstrojnë vëmendjen, angazhimin dhe miqësinë e Bashkimit Evropian për Shqipërinë por edhe krijojnë pritshmërinë optimiste për nxitjen e avancimit pozitiv të të gjithë dimensionit politik, social, ekonomik dhe shoqëror në tërësi të vendit tonë.
Nuk ka asnjë dyzim apo dyshim dhe duket e tepërt që të diskutohet për përkatësinë, qasjen dhe shpresën evropiane të shqiptarëve. Dyshimi, dyzimi, çorientimi dhe pesimizmi që po rriten cdo ditë e më shumë brenda opinionit publik shqiptar buron nga realiteti i padrejtësisë, pabarazisë në mundësi, ndalimit të zhvillimit, kufizimit për arsim dhe cilësi jetese në këtë vend. Të gjitha këto bashkë si një përmbledhje tek humbja e besimit.
Natyrisht që shqiptarët e kuptojnë fare mirë, se një vizitë e tillë sado e rëndësishme që të jetë, nuk do ta ndryshojë realitetin e hidhur që ata përjetojnë, sepse së pari nuk janë miqtë dhe partnerët e shqiptarëve ata që e kanë krijuar këtë situatë. Sepse edhe zullumi i krijuar nuk fshihet dot me “një të rënë të lapsit”.
Por më e pakta që opinioni publik pret nga Evropa është denoncimi i padrejtësive, pabarazive, pamundësive, mohimeve dhe kufizimeve që dominojnë sot jetesën e familjeve të tyre. Shqiptarët kanë të drejtë tu mundësohet një proçes votimi i lirë e i pa ndikuar si nga shantazhi i forcës së shtetit ashtu dhe kërcënimi i krimit.
Ky është minimumi i së drejtës. Shqiptarët kanë të drejtë të kenë një shtet që drejtojet nga ligji dhe jo të influencohet nga krimi. Shqiptarët kanë të drejtë të rimarrin dhe gëzojnë pronën e tyre të ligjëshme e sekuestruar dhe mohuar për gati 70-vjet nga rregjimi stalinist më i egër në të gjithë Evropën Lindore. Shumë e rëndësishem është lufta ndaj korrupsionit të pronave në bregdet, por ajo mbetet retorikë kur tani edhe me ligj prona as nuk kthehet dhe madje më keq, rikonfiskohet për interesa të oligarkëve të lidhur me politikën.
Shqiptarët kanë të drejtë të gëzojnë shance të barabarta tek mundësitë që ofrojnë resurset ekonomike të këtij vendi. Ne, të gjithë e dimë se ky vend i bekuar është plot me burime ujore, është i vetmi vend i rajonit me burime mineralesh dhe nafte, është një vend që të gjithë hapsirën perëndimore e ka bregdet, është një vend që 300 ditë të vitit i ka me diell, etj. etj. etj. Por të ardhurat e cdo qytetari janë jo thjesht më të ultat në Evropë, por disa herë më të ulta. Të vetmit që gëzojnë në luks, janë autoritetet tenderuese apo koncensionuese të buxhetit publik.
Një popull dhe shoqëri që mbetet në varfëri ekonomike dhe kufizim dijesh e kulture kthehet në masë amorfe dhe e shtypur. Kjo është eksperience aq e vjetër sa dhe bota vetë. Por sot jemi në shekullin e implantit kibernetik dhe inteligjencës artificiale dhe nuk mund të pranohet kufizimi e qënieve humane nga arsimimi normal dhe shërbimi medikal bazik. Shqiptarët kanë të drejtë ti gëzojnë këto, apo jo ? Kur nuk i cekin dot këto dimensione mëse normale shoqërore, trishtohen. Kur nuk shohin përgjegjësi reflektuese brenda vendit humbasin dhe besimin. Kur presin të degjojnë miqtë evropiane, shpresojnë të gjenerohen forca detyruese për garantimin e të drejtave të tyre. Vizita e pritshme e miqve evropian është një shprese e shqiptarëve për të dëgjuar adresimin e padrejtësive që ju bëhen atyre.
Zëri zyrtar qeveritar është padyshim legal dhe në hisen e vet. Por larg, shumë larg të vërtetës së përditshme qytetare. Kur opinioni publik mëson nga media se edhe ajo që quhet “shoqëri civile”, që financohet nga Evropa, shkruan në emër te tyre për Evropën, ulet në emër të pavarësisë dhe paanshmërisë me Evropën, përbëhet nga familjarë të qeveritarëve atëhere i shtohet më shumë nevoja për të dëgjuar të vërtetën ndryshe. Zëri qeveritar nga burri dhe zëri i shoqërisë civile nga gruaja, natyrisht që dublohet në tonalitetin e vokalit agjitativ, por kalon thjesht si fishkëllimë acaruese në virtualitetin e timbrit reaktiv të opinionit.
Para pak kohësh një ekip fakt-mbledhës me ambasadorë të nderuar nga vendet anëtare të BE vizitoj Shqipërinë.
Vizita e këtij grupi ambasadorësh kishte organizuar, njoftuar dhe konfirmuar përvec se takimeve me qeverinë edhe një takim me zëra të pavarur. Individë larg qeverisë. Fatkeqsisht një ditë përpara atij takimi, u njoftua anullimi i tij. Nuk di të them se ambasadorët e nderuar humbën pak apo shumë nga mundësia për të dëgjuar dicka ndryshe nga ajo që zëri qeveritar u kishte treguar për shqiptarët. Ajo që u humb me siguri, ishte një mundësi shtesë për të njohur të vërtetën e plotë. Në fund të fundit, e vërteta, e vërteta dhe vetëm e vërteta bën transparencën dhe sjell rrezen e dritës tek shikimi. Mungesa e të vërtetës shton vec errësirën dhe erresira vetëm sa e fsheh atë që mund të na dëmtoj nesër shumë.
Ndaj vizita e zyrtarëve të lartë të Brukselit pritet me shumë shpresë nga opinioni publik në Shqipëri. Me shpresën se të vërtetat e hidhura të jetës së përditëshme të tyre nuk pranohen nga ata që kanë ndërtuar një realitet ndryshe dhe njerëzor për qytetarët e tyre. Me shpresën, se fuqia e këtyre vendeve dhe shoqërive, gjeneruar nga liria dhe e drejta, më së paku ka forcën të mbajë gjallë besimin tek ata që ende përpiqen për të njëjtat parime dhe realitete që mysafirët përfaqësojnë.