E kush nuk është ai që ka vizituar Syrin e Kaltër, ku në vend që të mbetet mbresë bukuria e tij, rruga deri tek kjo mrekulli të lë një shije të hidhur.
Kur del nga aksi kryesor Sarandë-Gjirokastër dhe shmang në një rrugë dytësore në drejtim të Syrit të Kaltër, një meso burrë i mbuluar nga pluhuri të ndalon duke të kërkuar 100 lekë për person dhe 300 lekë për makinën.
Këto para të merren si taksë për mirëmbajtjen e rrugës deri tek Syri i Kaltër dhe për mirëmbajtjen e vetë kësaj perle.
Mirëpo, deri tek Syri i Kaltër nuk guxon të hapësh xhamin e dritares, sepse mbytesh nga pluhuri, veshkat “të bien tek këmbët” nga tronditjet prej gropave në rrugë, për të mos përmendur defektet që mund të pësojë makina vetë.
Pra, praktikisht taksa në këtë rrugë nuk ka dhënë asnjë fryt, asnjë investim që për më tepër mund t’i jepte kësaj pike turistike më shumë vlera dhe të tërhiqte turistë edhe më shumë.