Policia Rrugore e Tiranës merr masa administrative për mjetet e transportit publik, për ndalime jashtë stacioneve të përcaktuara, duke u kthyer rrezik për përdoruesit e rrugës. Shpesh furgonet ne fjale qe ndalojne vend e pa vend, jane akuzuar si shkaktare te kerdise se aksidenteve qe ndodhen ne 3-mujorin e pare te ketij viti ne rruget e Shqiperise.
Sipas burimeve zyrtare, nisur nga shqetësimet dhe rreziku i vazhdueshëm që shfaqin mjetet e shërbimit publik, kryesisht në rrugën interurbane kryesore Tiranë – Durrës dhe anasjelltas, duke ndaluar jashtë stacioneve të miratuara për marrjen dhe zbritjen e pasagjerëve jashtw këtyre stacioneve, Policia Rrugore e Tiranës prej disa ditësh ka monitoruar pikat e rrezikut, ku haset më së shumti ky fenomen, dhe sot janë organizuar disa pika kontrolli për monitorimin, kontrollin dhe procedimin administrativ sipas shkeljeve të evidentuara nga agjentët verifikues.
Përveç masave administrative për mjetet e shërbimit publik të cilët u ndëshkuan, Policia Rrugore apelon që pasagjerët të stacionohen në vendet e miratuara nga autoritetet përkatëse, me qëllim disiplinimin e këtij shërbimi dhe rritjen e sigurisë në rrugët urbane dhe interurbane të kryeqytetit.
Gjatë ditës së sotme, shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës kanë ndëshkuar me masë administrative 19 drejtues të mjeteve të transportit publik.
Kontrollet do të vijojnë në mënyrë sistematike dhe do të fokusohen në ditët në vijim, në evidentimin dhe ndëshkimin e të gjithë atyre drejtuesve të mjeteve, që janë kthyer në shqetësim për banorët në lagjet ku ata banojnë.
Policia Rrugore e Tiranës, falënderon qytetarët për gjithë shqetësimet e adresuara dhe i fton ata që të vijojnë të adresojnë çdo shkelje të qarkullimit rrugor, me qëllim që të gjithë së bashku të kontribuojmë në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.