Është e pamundur të gjesh një shqiptar që ka jetuar para 90-tës, e që s’ka bërë një herë në jetë pyetjen: Po si ka mundësi që domatet nuk kanë më atë shijen e mrekullueshme të dikurshme? Është absurde të mendosh që një sistem që mezi ia dilte të ushqente popullsinë përmes racionimit, të ofronte domate më të shijshme sesa një sistem që siç thuhet “I ka të gjitha të mirat, edhe qumësht dallëndysheje”.
AgroWeb.org është pëpjekur të gjejë përgjigjet e pyetjes 1 milion dollarëshe:
Pse domatja nuk ka shije domateje? Në artikullin e mëposhtëm shpresojmë të sjellim qartë shpjegimet e specialistëve.
Cilat janë varietetet e domates që mbillej para 90’ dhe a mbillen ende?
Jo, nuk mbillen më, së paku jo për tregëtim. Kjo përgjigje mund të sqaronte gjithçka por s’është kështu.
Specialistët thonë për AgroWeb.org se varietetet e domateve që mbilleshin në atë kohë janë të ndryshme si Tirana, Zemërkau, Agimi, Sanjollas, Sërrëke etj. Çështja është se këto domate nuk japin shumë rendiment.
Mbjellja e tyre para 90-tës plotësonte nevojat e vendit vetëm për një sezon. Pra jo gjatë gjithë vitit, siç është kërkesa e tregut sot.
Së dyti, asokohe mbilleshin edhe hibride të tjera, pra fara hibride domatesh në serra, por kryesisht shkonin për eksport.
Specialistët thonë për AgroWeb.org se shija e tyre e mirë nuk vinte vetëm prej llojit të farës. Por më së shumti prej kujdesit, plehërimit sipas parametrave të kontrolluar dhe mos teprimit me kimikate.
Megjithatë ka ende fermerë që i ruajnë këto fara që përmendëm. Por më së shumti për përdorim të vogël familjar pasi, siç thamë, nuk kanë shumë rendiment për treg.
Tashmë në Shqipëri mbillen hibride të importuara nga Izraeli, Hollanda etj, që janë shumë të mira, nëse tregohet kujdesi i duhur gjatë procesit të prodhimit.