Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka liruar nga detyra, ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj dhe drejtorin Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi.
“Në bazë të kompetencave kushtetuese, si kryeministër i Republikës së Kosovës kam kërkuar lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia të Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi dhe lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia të ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj”, thuhet në komunikatën për media.
“Operacioni i ndërprerjes së leje qëndrimit, i ndalimit, deportimit urgjent dhe të fshehtë të gjashtë qytetarëve turq nga territori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, ka ndodhur pa informimin e Kryetarit të Qeverisë dhe pa lejen e tij”, ka sqaruar vendimin e tij, kryeministri Haradinaj.
“Dua edhe njëherë të potencoj se veprimet e djeshme në këtë rast ishin tërësisht të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat dhe parimet tona si popull dhe si shtet”, thuhet në letrën e nënshkruar nga kryeministri Haradinaj, me të cilën e njofton kabinetin e tij.
Kryeministri ka thënë se nuk kishte qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve të sigurisë për aksionin e djeshëm të deportimit të gjashtë shtetaseve turq për në Turqi.
Pasi kishte ndodhur aksioni i deportimit, përfaqësuesit shtetëror duke përfshirë Presidentin, Kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe Ministrin e Jashtëm kishin deklaruar se nuk kanë qenë fare në njohuri për këtë veprim.
Presidenti Thaçi kishte mohuar faktin të kishte pranuar ndonjë informacion për veprimet e Policisë dhe Inteligjencës. Ai duke dënuar këtë veprim tha se ishte i zhgënjyer për shkak se institucionet kishin dështuar të mbrojnë parimet që ndërlidhen me të drejtat njerëzore të shtetasve të huaj, që jetojnë dhe punojnë në Kosovë tonë.
Njëjtë edhe kryeministri Haradinaj dënoi depërtimin duke thënë se nuk ka pasur asnjë informacion.
“Përmes një operacioni të ndërmarrë nga AKI në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë ndaluar dhe deportuar 6 qytetarë turq. Ka disa elemente që e bëjnë të paqartë këtë operacion deri te urgjenca e depërtimit”, kishte deklaruar Haradinaj.