Në mbledhjen e ditës së sotme të Këshillit të Ministrave është miratuar nga qeveria kontrata për ndërtimin e rrugës së Arbrit.
Kontrata në fjalë ishte firmosur në muajin Shkurt të këtij viti mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanisë “Gjoka sh.a”, por që kjo ishte e zbatueshme duhej të merrte miratimin e qeverisë.
Sipas ofertës së propozuar nga kompania “Gjoka Konstruksion”, rruga do të kushtojë 33.6 miliardë lekë, ose rreth 250 milionë euro dhe ndërtimi i saj do të zgjasë 46 muaj.
Vepra do të financohet përmes një skemë të përbashkët mes kompanisë private dhe buxhetit të shtetit. Më saktësisht, kompania do të financojë rreth 190 milionë euro nga paratë e veta, ndërkohë që shteti do të paguajë 60 milionë euro të tjera nga buxheti, gjatë periudhës së ndërtimit.
Pasi të ketë përfunduar plotësisht ndërtimin, kompania do të paguhet me këste nga buxheti për një periudhë që mund të shkojë deri në 15 vjet, sipas programit 1 miliardë euro të rindërtimit që është lancuar nga Qeveria.
Aktualisht Rruga e Arbrit ka përfunduar plotësisht në 20.1 kilometër, ndërkohë që 15 kilometra të tjerë janë ndërtuar pjesërisht.
Kompania private ka propozuar një variant, sipas të cilit gjatësia totale e rrugës është 69 kilometër dhe përfshin një tunel. Veç kostove të ndërtimit, në ofertë kompania ka marrë përsipër edhe mirëmbajtjen e rrugës dhe tunelit për një periudhë 10-vjeçare pas ndërtimit.