Trajneri Joahim Lëv ishte shumë i zh gënjyer pas ndeshjes së humbur ndaj Brazilit në Berlin. Trajneri gjerman kishte bërë disa ndryshime, duke çuar fillimisht portierin Ter Shtegen në shtëpi dhe më pas, Tomas Mylerin me Mesut Ozil.
Në mbrojtje, ai i besoi Rydigerit dhe Xherome Boateng që mbajti edhe shiritin e kapitenit. Në mesfushë, Gyndogan dhe Kros u munduan të mbanin ekuilibrat. Në sulm luajti Gomez dhe në krahë dyshja Sane-Draksler që për hir të vërtetës nuk ishin në 100 për qind e formës së tyre. Lëv foli pas takimit dhe akuzoi skuadrën për lojë të dobët.
“Bëmë shumë gabime në pasim dhe humbnim topin shumë lehtë, duke ia bërë kundërshtarit më të lehtë. Secili nga lojtarët duhet të japë maksimumin kur luan këtu. Jam i zhgënjyer, por jemi në fazën e përgatitjeve ndaj kam besim që do të reagojmë. Në fushë luajtën disa djem të rinj dhe loja çaloi pak në balancat që ata nuk i ruajtën.
Brazili është një ekip shumë i disiplinuar taktikisht, ata kanë në përbërje lojtarë shumë teknikë. Gjithashtu janë shumë të shpejtë me topin. Ata erdhën me një shpirt të plagosur dhe ne e prisnim një paraqitje të tillë. Nuk ishte dita jonë”, përfundoi trajneri. Trajneri gjithsesi gëzon besimin e plotë të federatës dhe tifozëve gjermanë.
“Pancerat” gjithmonë kanë treguar që mund të ringrihen kurdo. Dhe pse jo me përbërjen e lojtarëve që ishin në 2014, Gjermania e djeshme është premtuese. Sane, Draksler, Kimish dhe Rojs (që mungoi për shkak dëmtimi) do të jenë pa dyshim protagonistë në turneun e qershorit.
Pranë rikthimit është dhe Nojer që ka filluar të stërvitet te Bajerni ditën e ditëlindjes. Portieri është i rëndësishëm, pa dyshim që Ter Shtegen dhe Trap janë portierë të mirë, por Nojer mbetet Nojer dhe suksesi nis gjithmonë nga porta për gjermanët./panorama/