November 26, 2024

Arrestimi i Gjuriçit në mediat e Serbisë: Thaçi na shpalli luftë!

Mediat në Serbi e kanë paraqitur ngjarjen e djeshme të arrestimit të shefit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, si “shpallje lufte” nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, raporton Koha.net.

Gazeta “Alo”, në ballinë të numrit të sotëm, shkruan: “Dramë në veri të Kosovës: Thaçi na shpalli luftë”.

“Informer” shkruan: “Dhunë e tmerrshme shiptare në krahinën jugore: E arrestuan Gjuriçin, paralajmërohet luftë në Kosovë”.

“Sulm nga Prishtina: Shqiptarët sulmuan në veri të Kosovës”, është titulli i “Novostit”.

“Blici” ndërkaq shkruan: “Njësia Speciale ROSU arreston Gjuriçin, tensione në Kosovë”.

“Sulm nga ROSU në veri të Kosovës” është titulli i “Politika”.

E “Srpski Telegraf” shkruan thjeshtë: “Specialët shqiptarë arrestuan Gjuriçin: Me shok-bomba sulmuan serbët”.

E përditshmja tjetër serbe “Danas” shkruan: “Me vendimin e autoriteteve të Kosovës që të mos lejojnë hyrjen e asnjë prej ministrave përkeqësohen raportet mes Beogradit dhe Prishtinës: Rriten tensionet në Mitrovicë, arrestohet Marko Gjuriç”.

“Dnevnik” shkruan: “Presidenti Vuçiq mbrëmë thirri një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas arrestimit të Marko Gjuriçit në Mitrovicë: Shok-bomba, gaz lotsjellës dhe tyta të gjata ndaj serbëve”, shkruan Koha Ditore.

Kujtojmë se Gjuriç u arrestua dje pas orës 17 në Mitrovicë derisa i njëjti po zhvillonte një tubim në kuadër të dialogut për Kosovën, iniciativë kjo e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Atij, së bashku me një grup tjetër politikanësh serbë, u ishte refuzuar kërkesa për hyrje në Kosovë.

 

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com