December 23, 2024

Si u futën “të fortët” në politikën shqiptare?

Pas denoncimit të skandalit të plagjiaturave në Shqipëri të gjithë u tronditën nga përmasat e tij brenda politikës. Quo Vadis Shqipëri? Drejt Europës me elita fiktive? Sipas ekspertëve, mungesa e meritokracisë nxit emigrimin.

Por pika e kthesës në politikën shqiptare, kur madje në parlament u futën jo vetëm njerëz me diploma jo të marra me meritë, por edhe elementë kriminalë, që siç dihet, shkaktoi debate për vite me radhë, i ka rrënjët më të thella. Politologu Afrim Krasniqi shpjegon se në një moment të caktuar, kur politika kishte probleme përfaqësimi, ajo iu afrua njerëzve që njihen si “të fortët”, biznesmenëve të tranzicionit. “Ata kishin dy cilësi, dominimin në zona elektorale dhe paranë, por jo statusin social. Këtë ata u munduan ta krijojnë përmes CV-ve fiktive.” E për shkak se Parlamenti Shqiptar e merr si të mirëqenë deklarimin e deputetit dhe nuk bën verifikime të mëtejshme, valën e fiktivitetit që iu sul parlamentit shqiptar këto vite nuk e ndali kush.

Nuk e ndali as Ministria e Arsimit. Kërkesës së Institutit të Studimeve Politike kjo ministri, i përgjigjet se ka të drejtë të verifikojë vetëm individët që kanë trokitur në ministri dhe kanë bërë regjistrimin me sjelljen e diplomave. “Kur i kemi paraqitur listën e deputetëve me diploma të deklaruara, ata na kanë thënë, nga këta kaq persona kanë deklaruar dhe ia kemi njohur, për të tjerë që nuk kanë bërë kërkesë nuk mbajmë përgjegjësi.”, thotë Afrim Krasniqi. Vërtet që Ministria e Arsimit e ka një rregullore për kontrollin antiplagjiaturë të disertacioneve.”Ministria siguron software për kontroll automatik apo pajisje të tjera që i shërbejnë kontrollit për plagjiaturë”, thuhet në një nga vendimet e Këshillit të Ministrave të vitit të kaluar, por duket se këto janë më shumë fjalë të bukura në letër. DW

Facebook Comments

MineralHygienics.com