December 23, 2024

Media kanadeze: Të rinjtë shqiptarë vetëm largohen, kryeministri Rama mohon krizën e emigracionit

Situata e vështirë ekonomike dhe politike në Shqipëri po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Së fundmi është ‘Digital Journal’, media e njohur e Kanadasë, që ka publikuar një artikull për largimin e gjithnjë e më shumë të rinjve nga Shqipëria.

“Dëshira për t’u larguar vjen kryesisht për shkak të ekonomisë, pasi Shqipëria ka një prej rrogave mesatare më të ulta në Euopë, me rreth 400 euro në muaj. Papunësia është gjithashtu e lartë, me një në tre të rinj që është i papunë. Një tjetër faktor kryesor është kultura e përhapur e korrupsionit dhe klientelizmit, ose vende pune dhe favoresh në këmbim të mbështetjes politike”, raporton kjo media.

‘Digital Journal’ ka marrë prononcimet e disa studentëve dhe ekspertëve të ekonomisë, të cilët tregojnë vështirësitë e mëdha në tregun e punës në Shqipëri.

Në artikull jepen edhe shifrat e larta të shqiptarëve që largohen nga vendi dhe atyre që e aspirojnë diçka të tillë, ndërkohë që theksohet se kryeministri Edi Rama vijon të ‘ngrejë shpatullat’ sa i përket diskutimeve për krizën e emigracionit.

Profesori Adrian Civici, i cituar nga kjo media, ngre me shqetësim faktin se 85% e të rinjve që largohen nga Shqipëria thonë se nuk dëshirojnë të kthehen pas, çka rrit rrezikun e “largimit të trurit”.

Facebook Comments

MineralHygienics.com