December 23, 2024

Ermal Hasimja me qëndrim ndryshe nga Gjergj Bojaxhi

Ndonëse e rendit veten në opozitë ndaj qeverisë së Partisë Socialiste, ish-zv/ministri i Energjisë, Gjergj Bojaxhi nuk i ka dhënë mbështetje vendimit të opozitës për djegien e mandateve të deputetëve. Madje, në emisionin ‘Top Talk’, Bojaxhi la të hapur mundësinë e hyrjes në Parlament, si pjesë e Partisë Sfida për Shqipërinë, për të denoncuar, sipas tij, të keqen në vend.

Por në të njëjtën linjë nuk është profesori Ermal Hasimja, i renditur i dyti pas Bojaxhiut në listën e ‘Sfidës’ për Qarkun e Tiranës. Në një komunikim të shkurtër me Politiko.al, Hasimja tha se nuk do e pranonte mandatin e deputetit nëse i vinte radha si pjesë e kësaj partie.

Gjergj Bojaxhi ishte drejtues politik i ‘Sfidës’ në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017-të, dhe, sipas tij, kjo parti duhet të përdorë çdo podium “për t’u dëgjuar më shumë nga qytetarët shqiptarë, për të denoncuar më shumë korrupsionin, nepotizmin dhe çdo gjë që shkon keq në këtë vend.”

Në zgjedhjet e 2017-ës, ‘Sfida për Shqipërinë’ mori 3546 vota në të gjithë vendin, të cilat ishin të pamjaftueshme për t’i siguruar qoftë edhe një mandat deputeti.

Partitë e opozitës dogjën ditën e djeshme mandatet e deputetëve si veprimin e fundit ndaj një Parlamenti që, sipas tyre, nuk është vullnet i qytetarëve por i ndikimit të bandave kriminale që kanë manipuluar zgjedhjet. Opozita kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të bëjë të mundur organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Ky vendim i PD dhe LSI-së i krijon mundësinë partive të tjera që garuan në zgjedhje, që të hyjnë në Kuvend për të plotësuar vakancën dhe për të krijuar një “opozitë të re”, që në fakt nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve.

Facebook Comments

MineralHygienics.com