May 5, 2024

Si po përpunon opinion e huaj propaganda e Edi Ramës

Reagimi i parë i kryeministrit Rama ndaj krizës ku ai po gjendet është përpunimi dhe mbajtja nën ndikimin e tij të opinionit ndërkombëtar dhe përfshirja e përfaqësuesve të huaj në krah të tij, jo vetëm për të ndikuar që në fillim qëndrimet e tyre, por edhe për të dhënë idenë në publikun e brendshëm se ai jo vetëm ka mbështetjen e huaj, por se madje të huajt janë kundër opozitës.

Është një veprim i zgjuar, duke patur parasysh se publiku shqiptar ka mbivlerësim për të huajt dhe shpesh, në mënyrë të tërthortë, i gjykon ngarjet e brendshme përmes qëndrimit të të huajve ndaj tyre.

Për të arritur këtë objektiv, Zoti Rama dhe njerëzit e tij kanë zbatuar me efikasitet ditët e fundit një operacion të vrullshëm propagandistik për të manipuluar opinion ndërkombëtar. Për këtë po përdoren të gjitha kanalet, kontaktet zyrtare të komunikimit me të huajt, mediat e huaja dhe përfaqësuesit e tyre në Tiranë, mediat shqiptare që përcillen nga ambasadat dhe misionet e huaja në Tiranë, si dhe ambasadat shqiptare nëpër botë.

Një burim diplomatik perëndimor në Tiranë pranoi për Exit.al se misionet perëndimore në Tiranë janë kontaktuar në mënyrë të pandërprerë nga qeveria me mesazhe, informacione dhe kërkesa. Ndër të tjera, burimi ndau me Exit.al një memo që qeveria u ka dërguar përfaqësive të huaja në lidhje me zhvillimet e fundit politike.

Propaganda e qeverisë është përqendruar në tre drejtime kryesore.

Drejtimi i parë është të përcjellë idenë se opozita do të marrë pushtetin me dhunë. Kjo tezë është ilustruar përmes shtrembërimit të natyrës së protestave të thirrura nga opozita. Që para protestës së parë të 16 shkurtit policia dhe e drejtuesit të lartë qeveritarë propaganduan se në protestë do kishte persona me të shkuar kriminale, të cilët do të kryenin akte të dhunshme. Gjatë protestës dhe pas saj qeveria dhe surrogatët dominuan opinionin publik duke folur vetëm për dhunë. Ata arritën që të nxisnin ambasadat e huaja në Tiranë që, si përpara, ashtu edhe gjatë protestës, të bënin thirrje të përsëritura kundër dhunës.

Por protesta qe paqësore. E vetmja dhunë në të ishte shkulja e veprës “kërpudha” në barin anash ndërtesës së kryeministrisë, e cila ishte shndërruar në simbol të shkëputjes së Edi Ramës nga realiteti dhe të përdorimit të pushtetit për përmbushjen e interesave dhe kapriçove të tij private. Asgjë tjetër. Madje në përpjekje për të treguar dhunë, Erion Veliaj, në mënyrë qesharake, të vetmin dëm që mundi të shfaqte ishte bari i shkelur anash kryeministrisë dhe një filiz peme i thyer.

Në mungesë të dhunës, propaganda qeveritare arriti ta kanalizonte shpejt shqetësimin tek dëmtimi i pronës publike dhe private, dhe ambasadat e huaja i shkuan pas, duke bërë thirrje për mosdëmtim të pronës publike.

Pas protestës së të shtunës dhe në pritje të asaj të sotmes, qeveria Rama i mëshoi fort tezës së dhunës në të gjitha komunikimet e saj me faktorët e huaj diplomatikë, mediatikë dhe të tjerë. Burimi i mësipërm diplomatik i tha Exit.al se qeveria e bombardoi trupin diplomatik dhe përfaqësuesit e qeverive të huaja me parashikime për dhunë, duke iu kërkuar atyre që të dilnin publikisht me thirrje kundër dhunës dhe paralajmërime ndaj opozitës se ajo do të mbante përgjegjësi për dhunën.

Për ta bërë sa më të besueshme këtë mundësi, Edi Rama luajti me elemente visive, për të krijuar psikologjinë e një gjendjeje të jashtëzakonshme, pezulloi trafikun në një zonë të madhe të Tiranës, rrethoi ndërtesën e Kuvendit me tela me gjemba, mobilizoi një numër të madh policësh, pajisi gazetarët me maska kundërgaz, ndërpreu mbulimin me sinjal celular në zonën e protestës etj.

Si rrjedhojë, përfaqësitë diplomatike në Tiranë, mënyra e veprimit të të cilave ka qënë në mënyrë të vazhdueshme heshtja ndaj veprimeve të rënda politike të qeverisë, përfshi skandale të saj që dëmtojnë demokracinë dhe qeverisjen, pothuajse në mënyrë të koordinuar kanë lëshuar deklarata publike kundër dhunës, disa duke shprehur edhe nota thuajse kërcënuese ndaj opozitës.

Linja e dytë e propagandës së qeverisë për të përpunuar mënyrën e përcjelljes së krizës është portretizimi i përpjekjes së opozitës si një përpjekje pa asnjë bazë për të marrë pushtetin në mënyrë arbitrare, pasi ajo është e paaftë të fitojë pushtetin me zgjedhje ngaqë nuk ka mbështetje në popull.

Në memon e qarkulluar për të huajt, për të përforcuar edhe idenë e dhunës, qeveria e krahason veprimin e opozitës për lënien e mandateve me atë të një “terroristi që kërcënon se do të hedhë në erë systemin, nëse nuk i plotësohen kërkesat.”

Të njëjtin qëndrim Kryeministri Rama e ka shprehur edhe në interevistën për Il Messaggero dhe Rai. Të njëjtin qëndrim kanë artikuluar të gjithë përfaqësuesit e qeverisë në të gjitha komunikimet me të huajt dhe në pohimet publike. Qëllimi i kësaj linje është të mbulojë të gjitha arsyet e qenësishme, përfshi bashkëpunimin me krimin në zgjedhjet e fundit, të cilat kanë çuar opozitën në veprimin e skajshëm të lënies së mandateve të deputetëve.

Linja e tretë e propagandës qeveritare është vënia në qendër të vëmendjes e Sali Berishës si ideator dhe drejtues i vërtetë i të gjitha veprimeve të opozitës. Vetë Rama në një intervistë të sotme për gazetën italiane Il Messaggero e ka theksuar këtë tezë, sikurse kanë bërë edhe disa editoriale të njerëzve të afërt me kryeministrin.

Ky lloj portretizimi bëhet për dy arsye. Së pari, për të përforcuar idenë e dhunës, duke risjellë tërthorazi në kujtesë ngjarjet e shtatorit 1998 dhe të 21 janarit 2011, për të cilat të huajt kanë një ndjeshmëri të veçantë. Së dyti, ajo bëhet për të ulur autoritetin e Lulzim Bashës, në mënyrë që ai të mos shihet nga të huajt si faktor i rëndësishëm politik dhe si person që ka aftësinë për të garantuar zgjidhjet politike që mund të synohen.

Facebook Comments

MineralHygienics.com