May 5, 2024

Basha: Zemrat tona janë mbushur me shpresë

Lulzim Basha pas protestës së sotme, u ka dërguar një mesazh qytetarëve, qeverisë dhe ndërkombëtarëve.

“Zemrat tona janë të mbushura me shpresë dhe kurajo që buron nga shpirti e një populli të bashkuar. Shqipëria do të ketë një të ardhme europiane dhe kjo do të jetë e ardhmja juaj, e familjeve tuaja, e fëmijëve tuaj, e njerëzve të ndershëm të këtij vendi që duan t’i japin fund padrejtësisë, që duan t’i japin fund pandëshkueshmërisë”, shkruan Basha në Facebok, teksa publikon dhe foto nga protesta e sotme.

Më tej, si mesazh ndaj qeverisë, ai shton se nuk do të pranojnë një kryeministër bandit, pasi është “Maduro i Ballkanit”.

“Dua t’u them të gjithë atyre që akoma nuk e dinë se këtu nuk ka demokraci, nuk ka Parlament, nuk ka drejtësi dhe se shteti është kapur nga krimi i organizuar, se njeriu që ju del përpara dhe ju shitet si Kryeministër është Maduro i Ballkanit. Ne nuk do të pranojmë më një kryeministër bandit, të kapur në flagrancë duke vjedhur votat e popullit në bashkëpunim me mafiozët, trafikantët, bandat e krimit të organizuar, duke vjedhur qindra miliona nga xhepat e shqiptarëve që nuk paguajnë dot bukën e gojës për fëmijët e tyre”, shton më tej kryedemokrati.

Ndërsa për ndërkombëtarët kritikë, shkruan se qytetarët që ishin në shesh në të dyja protestat, kërkojnë liri e demokraci, si të gjithë popujt demokratikë.

“Sytë e Europës janë sot tek ky shesh: ne kërkojmë për shqiptarët vlerat dhe parimet që ata kanë për popujt e vet, liri, demokraci dhe ligjin e barabartë për të gjithë!”, mbyll shkrimin e tij Basha.

Facebook Comments

MineralHygienics.com