December 23, 2024

KPA nuk rihap hetimin ndaj prokurores Antoneta Sevdari

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) hodhi poshtë kërkesën e Komisionerit Publik (KP) për rihapje të hetimit ndaj prokurores Antoneta Sevdari, njëkohësisht edhe anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). KPA mbylli hetimin gjyqësor ndaj prokurores dhe vendimin për kualifikimin ose jo të Sevdarit do ta marrë më 25 shkurt, bazuar në provat e paraqitura deri më tani.

KPA-ja i la kohë deri të hënën KP-së të paraqesë qëndrimin përfundimtar për ankimin e bërë kundër Sevdarit. Sipas KP-së, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit  nuk ka marrë parasysh 10 denocime ndaj prokurores Sevdari.

Ndërkohë KP-ja ngriti dyshime edhe mbi ligjshmërinë e pasurisë së bashkëshortit të Sevdarit. Sipas komisionerit publik, ai nuk ka paguar taksat mbi të ardhurat e përfituara nga puna në Greqi; për shumën prej 12 mijë eurosh të përfituar në vitin 2003 në Arabinë Saudite; dhe për 20 mijë dollarë të përfituara në vitin 2006. KP-ja ngriti dyshime edhe për të ardhurat e bashkëshortit të Sevdarit për vitin 2010.

Zonja Sevdari u justifikua se të ardhurat nga Greqia bashkëshorti i kishte sjellë dorazi, ndërsa për të ardhurat nga Arabia Saudite njëri nga punëdhënësit nuk kishte dokumentacionin, ndërsa punëdhënësi tjetër kishte vdekur.

Trupa gjykuese e përbërë nga  Luan Daci, Sokol Çomo, Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz vendosi ta mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe të zhvillojë seancën tjetër më 25 shkurt.

Facebook Comments

MineralHygienics.com