December 23, 2024

Gazment Bardhi flet për Politiko: Praktikisht, do të kemi një parti-shtet

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka komentuar për Politiko.al vendimin e opozitës për të djegur mandatet parlamentare. Bardhi thekson se ky vendim e kthen Parlamentin në monopartiak dhe praktikisht, do të kemi një parti-shtet.

Ai bën edhe dallimin midis dorëzimit të mandatit dhe djegies nëpërmjet bojkotit, si dhe paralajmëron se kushdo që do të përpiqet të zëvendësojë opozitën në Parlament, do të tradhtojë vullnetin e qytetarëve.

Politiko – Cilat janë implikimet ligjore të djegies së mandateve?

Bardhi – Djegia e mandateve nga opozita nënkupton që Parlamenti i dalë prej vjedhjes dhe blerjes së votave nëpërmjet krimit të organizuar, zyrtarisht kthehet në monopartiak. Pra, praktikisht, do të kemi një parti-shtet, si përpara 30 viteve, kur ne rrëzuam regjimin diktatorial të Partisë së Punës.

A ka ndryshim midis dorëzimit të mandateve dhe bojkotit?

Dorëzimi i mandateve sjell humbjen e mandatit me efekt të menjëhershëm dhe një procedurë që zgjat jo më shumë se 30 ditë. Ndërkohë që bojkoti pa arsye i Parlamentit, në mënyrë që të sjellë humbjen e mandatit, duhet të zgjasë më shumë se 6 muaj. Nuk kemi asnjë ditë kohë për të humbur. Vendi është në emergjencë kombëtare, prandaj kemi vendosur heqjen dorë nga mandatet nëpërmjet dorëzimit të tyre.

Çfarë ndodh kur tërhiqen deputetët, a mund të zëvendësohen ata me listën pasuese?

Kjo është një pyetje teknike, ndërkohë që vendimi i opozitës së bashkuar është politik. Mandatet e deputetëve janë dhe i përcaktojnë qytetarët. Me pjesëmarrjen masive më 16 Shkurt, qytetarët i diktuan partive të opozitës vullnetin e tyre për djegien e mandateve, për shkak se shumica në këtë Parlament ka dalë nga vjedhja e votave dhe blerja e tyre nëpërmjet krimit të organizuar. Pra, kemi një Parlament ilegjitim. Kemi një Qeveri ilegjitime. Kemi një Kryeministër ilegjitim. Çdo veprim i tyre për të zëvendësuar opozitën me mandate të tjera të blera, është ilegjitim. Kushdo që merr mandatin e popullit, pa qenë i mandatuar prej tij, tradhton vullnetin e qytetarëve dhe do të marrë përgjigjen e merituar prej tyre. Politiko.al

Facebook Comments

MineralHygienics.com