December 23, 2024

Djegia e mandateve, reagon Meta

Presidenti Ilir Meta ka komentuar vendimin e opozitës së bashkuar për djegien e mandateve parlamentare, një ditë pas protestës së 16 shkurtit.

Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Meta tha se çdo veprim ekstrem nuk i shërben demokracisë, por është koha që qeveria dhe Kryeministri duhet të kuptojnë që përgjegjësitë kryesore për qeverisjen e vendit janë të tyre.

“ Vlerësoj se çdo veprim ekstrem nuk i shërben demokracisë, nuk i shërben forcimit të institucioneve dhe nuk i shërben njëkohësisht as integrimit europian të vendit, që është dëshira e çdo qytetari shqiptar. Dhe me këtë është e lidhur edhe shpresa për të mos e shpopulluar më tej vendin tonë, sidomos nga të rinjtë dhe forcat më krijuese të tij.

Është koha të kemi një hap prapa nga opozita, por mendoj që është koha të kemi edhe dy hapa pas nga mazhoranca, nga qeveria dhe nga Kryeministri, të cilët duhet të kuptojnë që përgjegjësitë kryesore për qeverisjen e vendit janë të tyre.

Është detyra e tyre të japin shembullin të parët në respektimin e Kushtetutës dhe të kufijve që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i ka përcaktuar qeverisë.

Të respektojnë institucionet e pavarura, të mos ndikojnë te krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë.

Të japin shembullin të parët për luftën kundër korrupsionit dhe për shumë çështje që kanë tronditur opinionin publik, pasi në fund fare asnjë justifikim nuk do të jetë i vlefshëm dhe i dobishëm për askënd në rast se vendi do ta humbasë këtë mundësi.

Mundësitë, sidomos pas arritjes të marrëveshjes historike midis Maqedonisë dhe Greqisë, janë mjaft të konsiderueshme. Ndaj duke përfituar dhe nga ky sukses i Maqedonisë të japim një mesazh pozitiv dhe një mundësi Bashkimit Europian, që të japë një sinjal të fortë shprese dhe inkurajimi për procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor në qershor”, u shpreh Meta.

Facebook Comments

MineralHygienics.com