May 18, 2024

Deutsche Welle: Korrupsion galopant në Shqipëri

Media gjermane, Deutsche Welle ka raportuar protestën e opozitës, të organizuar më 16 shkurt, dhe situatën e rënduar ekonomike dhe politike ku ndodhet Shqipëria.

“Shqipëria nuk duhet ta humbasë sërish shansin për në BE”, është titulli i artikullit të ‘DW’, ku ndër të tjera flitet edhe për korrupsionin e madh në vendin tonë: “Një demonstratë e organizuar prej partive opozitare drejtuar kundër qeverisë së socialistëve nën kryeministrin Edi Rama dhe korrupsionit galopant në vend  përshkallëzoi në eksese dhune…”

“Korrupsioni është fjala kyç e luftës politike në Shqipëri, por edhe plaga më e madhe që indinjon mbarë qytetarët e qytetaret në vend. Ata vazhdimisht ankohen, që po bëhet shumë pak në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndonëse Shqipëria aktualisht ka nisur të verë në zbatim një nga reformat, që konsiderohet si shembullore në rajon, vendi mbetet ndër më të korruptuarit në Europë. Shqiptarët e përjetojnë shtetin e tyre si një sistem të sëmurë klientelizmi dhe nuk kanë më aspak besim tek ai. Protesta aktuale e opozitës vjen menjëherë pas protestës masive disa javore të studentëve, që kërkuan reformë radikale të sistemit të arsimit të lartë, kushte më të mira studimi dhe largimin e elitave drejtuese të korruptuara në universitete. „Mos na detyroni të emigrojmë, duam të studiojmë e të punojmë në vendin tonë”, ishin slloganet e studentëve”, raporton media gjermane.

Duke kritikuar politikanët shqiptarë nuk e kanë përvetësuar mësimin e demokracisë për respekt të ndërsjelltë, ‘DW’ shkruan se “dialogu demokratik është rrugëdalja e vetme nga kriza, për të çuar përpara reformat e domosdoshme për konsolidimin e shtetit ligjor.”

Deutsche Welle paralajmëron se një tjetër shtyrje e negociatave me Bashkimin Evropian, do të ishte fatale për vendin.

“Trazirat, paqendrueshmëria politike, mungesa e dialogut dhe e gjuhës së kompromisit, çdo vonesë mund të kenë pasoja në procesin e integrimit në BE. Vitin e kaluar Shqipëria e humbi shansin e një date për hapjen e negociatave me BE-në. Një shtyrje tjetër në samitin e BE-së në qershor sivjet do të ishte fatale për vendin”, shkruan kjo media.

Facebook Comments

MineralHygienics.com