December 23, 2024

Bashkia Tiranë i jep 360 mijë euro kompanisë Abkons me konkurim fallso

Bashkia Tiranë vazhdon praktikën e tenderave korruptivë. Ajo do t’i japë rreth 360 mijë euro kompanisë Abkons, 23 mijë euro në muaj për të regjistruar fermërët e Tiranës, përmes një tenderi korruptiv.

Në tender morrën pjesë dy kompani Abkons dhe bashkimi i kompanive Grama shpk dhe Albadi shpk.

Kompanitë Grama dhe Albadi u skualifikuan për mosplotësim të kushteve teknike të kërkuar paraprakish nga Bashkia Tiranë. Të dyja kompanitë, Grama dhe Albaldi janë kompani ndërtimi. Ato nuk kanë asnjë eksperiencë në vrojtime, anketime, analizë të dhënash, ekspert IT, dhe ekspertë të bujqësisë, ekspertë të kërkuar nga Bashkia Tiranë.

Madje, eksperti kryesor, njëkohësisht dhe menaxheri i projekti i paraqitur nga këto kompanitë Grama dhe Albadi rezulton i punësuar pranë kompanisë Abkons, kompania fituese e tenderit. Në arsyet e rendituar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave për skualifikimin e bashkimit të kompanive shkruhet se:

Ekspert Kryesor/Menaxher Projekti: “Genti Lame i cili referuar CV rezulton se punon pranë Grama prej 2013, nderkohe nuk figuron ne Listë Pagesa i punesuar prane ketij OE. Ka te lidhur nje Kontrate Individuale pune prej 2013 me kohe te plote por nuk figuron aspak ne liste pagesat si i punesuar. Në CV-në e paraqitur rezulton se ka eksperiencë pune prej vitit 2008 si Ekspert Social-Ekonomik pranë ASSA e më tej pranë ABKONS etj..”.

Pra, me gjasa këto dy kompani kanë shërbyer si kompani fasadë për të legjitimuar tenderin dhe shpallur fitues kompaninë e parazgjedhur Abkons.

Kjo është një teknikë e zakonshme e Bashkisë Tiranë. Vetëm në vitin 2018, Open Data Albania vlerësoi se 173 tendera nga 644 tendera që Bashkia Tiranë ka bërë për vitin 2018, janë tendera të zhvilluara vetëm me një kompani ofertuese, ose tendera ku ofertuesit janë skualifikuar për arsye teknike të gjithë ofertuesit, përveç kompanisë fituese.

Facebook Comments

MineralHygienics.com