December 23, 2024

Protesta për të mbrojtur Teatrin shembi arrogancën e Qeverisë

Ka kaluar një vit që kur u bë publik plani i Qeverisë dhe Bashkisë Tiranë për të shembur Teatrin Kombëtar. Por sot godinat e tij janë ende në këmbë, kjo pasi artistët dhe një pjesë aktive e qytetarëve nuk kanë reshtur së protestuari. Protesta për mbrojtjen e Teatrit është tashmë, shembull se si qytetarët mund t’i mbrojnë kauzat e tyre.

Një vit më parë, Qeveria dhe Bashkia Tiranë dolën të mbronin publikisht një plan, që parashikonte shembjen e teatrit, dhënien e një pjese të territorit një kompanie private dhe ndërtimin bashkë me teatrin e ri, edhe të një kompleksi kullash pas tij.

“Nuk është një teatër me kullë, por s’do të kishte asnjë mëkat që të ishte nën kullë. Teatrot e Broadway-it janë të gjithë nën kulla, por kur të gjithë shkojnë atje nuk shohin kullat, por teatrot” , tha atëherë Kryeministri Rama gjatë prezantimit të projektit. Aty, ai  theksoi disa herë se teatri do të shembej. Të njëjtin zotim Kryeministri e bëri edhe në Parlament, kur me “ligj special” legjitimoi gjithë projekt-idenë.

Gjithësesi, një vit pas prezantimit të idesë dhe disa muaj pas miratimit të ligjit, Qeveria dhe Bashkia Tiranë duket se janë zbythur. Për çështjen e teatrit, arroganca, vendosshmëria dhe propaganda e tyre nuk duken më në kanalet e mediave tradicionale dhe as nëpër shpërndarjet e militantëve të tyre në Facebook. Për ata, tematika e teatrit ka dalë nga qarkullimi zyrtar.

Në shesh, ndërkohë, nuk kishte asgjë ndryshe. Ashtu si pasditet e tjera, në një skenë të improvizuar mes dy godinave të teatrit, dhjetra aktorë mbajtën sërish fjalën e tyre edhe të premten e 8 shkurtit, që përkonte me një-vjetorin e protestave.

“Po të qëndrosh fort, qoftë dhe i vetëm, qoftë edhe me pak njerëz, qoftë edhe duke zëvendësuar njëri-tjetrin… ka një rezultat dhe rezultati është më se i dukshëm. Sot një vit më parë flitej se këto dy ndërtesa (Teatri Kombëtar) do të shembeshin, por ja që nuk janë shembur…” tha aktori Romir Zalla për një-vjetorin e protestës, që sipas tij nuk është festë, por arsye për më shumë protestë.

Përballë aktorëve e qytetarëve mbështetës, për një-vjetorin e protestës qe prezent vetëm një kamera televizioni. Vetëm një televizion i kushtoi një material teatrit, ndërsa disa portale thjesht sa bënë “ritualin” copy/paste të ndonjë statusi aktori ose ndonjë aktivisti të shoqërisë civile.

Mediat tradicionale kanë kohë që nuk e mbulojnë protestën për teatrin, por sidoqoftë ajo ka gjetur në median online mënyrën për të qenë e qëndrueshme, stojike në kërkesat e saj për rikonstruksionin e godinës dhe po ashtu prezente në opinionin publik.

Edhe të premten, 5-6 celularë aktivistësh të shoqërisë civile treguan sërish se kanë fituar më tepër peshë përçuese te opinioni publik, se sa mediat tradicionale. Ata përcollën sërish fjalën e dhjetra aktorëve të asaj mbrëmjeje. Në më pak se një vit, pa militantë, pa urdhëra të Qeverisë për të shpërndarë apo komentuar në rrjetet sociale, “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” e krijuar më 19 mars të vitit të kaluar, mblodhi 6 316 ndjekës. Ajo postoi 787 foto dhe 520 video (pjesa më e madhe video-live) duke gjeneruar si total mbi 1.6 milionë shikime.

Për t’iu adresuar qytetarëve, pa mbulimin e vazhdueshëm të mediave tradicionale, protesta ka gjetur median-online si horizontin më të lirë të komunikimit. Pikërisht, ky komunikim ka qenë i mangët në protestat e tjera që u mbajtën vitin që shkoi, si për shembull protestat kundër ndërtimit të inceneratorëve në Fier, protestat kundër marrëveshjes së detit me Greqinë, protestat kundër tarifës në Rrugën e Kombit, protestat kundër projektit të Unazës së Madhe, apo dhe protestat e studentëve në fund të dhjetorit.

Përveç protestës për mbrojtjen e Teatrit, asnjë protestë tjetër nuk ka zgjatur kaq shumë pa mbulimin e mediave.

Njeriut në jetë nuk i takon të jetë protestues gjithmonë, një herë ndodhë dhe atë njëherë duhet ta ndash se me cilin krah je, me të drejtën, apo me të padrejtën, unë ndjeva se jam me të drejtën dhe do të vazhdoj të rri këtu deri sa e drejta të shkojë deri në fund”, premtoi me mbështetjen e tij një nga aktorët prezent te Teatri të premten.

Me këtë mesazh dhe me një mënyrë të re proteste, protesta për mbrojtjen e Teatrit është tashmë pikë referimi për një pranverë shqiptare.

Exit.al

Facebook Comments

MineralHygienics.com