December 26, 2024

‘Dhuratat e çmuara’ të Edi Rames

Nga librat, kravatat, medaljet e deri te pjatat prej argjendi, pikturat dhe maskat prej ari – BIRN zbardh listën e 183 dhuratave diplomatike që kryeministri Edi Rama mori nga homologë dhe personalitete të huaja nga viti 2013 deri në vitin 2018.

Në rastet e vizitave, takimeve dhe në përgjithësi gjatë ushtrimit të detyrës shtetërore, personalitetet e larta të shtetit shqiptar – si Kryeministri, Presidenti, Kryetari i Kuvendit dhe Ministri i Jashtëm, marrin dhurata nga njerëz dhe institucione të huaja, të cilat krerët e institucioneve shqiptare i shkëmbejnë në shenjë kortezie.

Sipas ceremonialit zyrtar, vlera e dhuratës nuk duhet të kapërcejë kufijtë e mirësjelljes, si dhe rregullat apo limitet ligjore që shtete të ndryshme mund të kenë vendosur. Ligji shqiptar e përcakton kufirin maksimal të vlerës së një dhurate që zyrtarët shqiptarë mund të japin dhe të marrin nga homologët e huaj në 25 mijë lekë. Sigurisht kjo shumë mund të tejkalohet kur personi i cili merr dhuratën, është një personalitet i rëndësishëm për vendin.

Njësoj edhe me dhuratat që homologët e huaj u japin zyrtarëve shqiptarë. Kur kalojnë shumën e përcaktuar nga ligji, ato nuk refuzohen, por pranohen për të mos krijuar keqkuptime mes vendeve dhe për të mos fyer dhuruesin.

Ceremoniali sugjeron që dhuratat diplomatike për liderët e huaj duhet të jenë të personalizuara dhe për çdo dhuratë të dhënë hartohet një dokumentacion përkatës përshkrues. Ngjashëm, dhuratat e marra nga krerët e institucioneve shqiptare nuk mund të dërgohen në shtëpi, por duhet të regjistrohen, katologohen dhe të bëhen pronë e fondit të institucionit përkatës.

Në një intervistë televizive në shtator 2018, kryeministri Edi Rama u ankua se praktika e regjistrimit të dhuratave të çmuara nga dinjitarë të huaj ka munguar përpara se ai të vinte në krye të ekzekutivit në vitin 2013.

“Kur u bëra kryeministër në godinën e Kryeministrisë nuk kishte asnjë dhuratë. Në të gjitha Kryeministritë e vendeve serioze, dhuratat që vijnë për kryeministrat kur kalojnë një vlerë simbolike, kur nuk është një kravatë apo buton, regjistrohen dhe qëndrojnë aty,” tha Rama.

“Për herë të parë kryeministria ka një regjistër të dhuratave dhe ka dhurata të çmuara, të cilat s’i kam marrë me vete në shtëpi. Por i kam lënë aty. Këtë gjë po ua them siç është. A i kanë marrë, apo a ua kanë marrë s’e di. Di që kur kam hyrë aty, ishte marrë gjithçka,” shtoi Rama.

Duke marrë shtysë nga deklarata e kryeministrit, në 20 shator 2018 BIRN iu drejtua Këshillit të Ministrave me një kërkesë për të drejtë informimi për një kopje të ‘regjistrit të dhuratave’ që mbante ky institucion.

Pesë muaj më vonë, në 25 janar 2019 – pas një rekomandimi nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit, Këshilli i Ministrave u përgjigj pozitivisht, duke dërguar një dokument ku listoheshin dhe përshkruheshin 183 dhuratat e çmuara të pranuara nga kryeministri Edi Rama në periudhën shtator 2013 – dhjetor 2018.

Dhuratat janë pjesë të protokollit diplomatik që nga kohërat prehistorike. Për shembull, dhurimi nga Kina i arinjve panda si dhurata diplomatike njihet që nga periudha e dinastisë Tang në shekullin e VII – kur perandoria Wu Zetian i dërgoi një çift pandash perandorit të Japonisë, dhe vazhdon të praktikohet në ditët e sotme e njohur si ‘diplomacia e pandave.”

Ngjashëm, lideri i ndjerë komunist i Kubës, Fidel Kastro është i mirënjohur për përdorimin e cigareve puro ‘Cohiba’ si dhuratë diplomatike.

Qëllimi i dhuratave diplomatike nuk është altruizmi. Ato shërbejnë si një mjet për të forcuar lidhjet midis dinjitarëve dhe vendeve të ndryshme. Shumë vende kanë drejtori të veçanta në zyrat e protokollit që i përzgjedhin dhuratat për homologët dhe dinjitarët e huaj.

Lista e dhuratave të marra nga kryeministri Edi Rama gjatë 6 viteve të fundit nuk përfshin kafshë ekzotike dhe as puro kubane; megjithatë, aty nuk mungojnë objektet e çmuara, sendet e pazakonta dhe vëmendja ndaj së shkuarës së kreut të qeverisë si artist.

Kjo listë gjithashtu hap një dritare të vogël mbi shijet dhe botëkuptimin e zyrtarëve të huaj që Rama pati shkëmbime gjatë viteve të fundit, ku përfshihen homologë dhe krerë shtetesh, princa nga Lindja e Mesme, Papa Francesku, kryebashkiakë dhe krerë institucionesh vendore nga vende fqinje, apo legjenda futbolli si Michael Platini nën investiturën e kreut të UEFA-s.

Kjo listë përfshin 43 libra, 19 pjata porcelani apo argjendi, 10 piktura, medalje dhe medaljonë, qypa, qilimë, stilolapsa, stilografë dhe shpata. Edhe pse numri i dhuratave të shkëmbyera nuk është domosdosmërisht tregues i marrëdhënieve bilaterale, lista e vendeve që kanë qenë më bujare ndaj kryeministrit shqiptar kryesohet nga Italia me 16 dhurata, Gjermani me 15 dhe Franca me 13, të ndjekura nga Turqia dhe Bullgaria me respektivisht 11 dhe 10 dhurata.

Në përgjigjen zyrtare ndaj kërkesës së BIRN, drejtori i departamentit të Administrimit, Transparencës dhe Antikorrupsionit në Këshillin e Ministrave, Pirro Vengu sqaron se lista e bërë publike përfshin ‘sende dhe objekte’ që i janë dhuruar kryeministrit në kuadër të ushtrimit të detyrës shtetërore. Ato konsiderohen ‘dhurata të çmuara’ dhe janë pjesë e kujtesës së institucionit.

Edhe pse klasifikohen si dhurata të çmuara për shkak të rëndësisë që ato kanë në protokollin diplomatik, jo të gjithë sendet dhe objektet që iu dhuruan kryeministrit gjatë ushtrimit të detyrës kanë një vlerë të lartë monetare. Ndryshe, nga disa vende si për shembull Shtetet e Bashkuara të Amerikës, protokolli i Këshillit të Ministrave nuk i jep një vlerë monetare dhuratave diplomatike gjatë katalogimit të tyre.

Duke u nisur nga materiali dhe lloji i objektit, BIRN përzgjodhi disa nga dhuratat që sipas përshkrimit të ofruar nga Kryeministria përbëhen nga materiale të çmuara.

Me 5 nëntor 2013, pak muaj pas inaugurimit si kryeministër Rama ndërmori një vizitë zyrtare në Maqedoni, gjatë së cilës takoi dhe ish-kreun e parlamentit maqedonas, Trajko Veljanovksi. Gjatë kësaj vizite kryeministri shqiptar mori nga Veljanovski si dhuratë dy maska prej ari, si dhe 2 medalje ‘simbol i përjetësisë’ në kornizë.

Në një takim të mbajtur me 13 tetor 2013 me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm grek të kohës, kryeministrit Edi Rama iu dhurua një pjatë argjendi. Rama do të merrte dy dhurata të ngjashme pak javë më vonë në takime me presidentin turk, Recep Tayip Erdogan dhe presidentin grek, Karolos Papulias, respektivisht një pjatë me kapak argjendi dhe një pjatë argjendi.

Pjatat e argjendit duket se janë një dhuratë e parapëlqyer edhe për zyrtarët francezë, të cilët i dhurojnë ato me stemën e Republikës. Kryeministri shqiptar ka marrë dy të tilla; një nga ish Presidenti i Senatit të Francës, Jean Pierre Bell në mars 2014 dhe një tjetër nga ish- presidenti Francois Hollande në nëntor 2014.

Presidenti Austriak Heinz Ficher i ka dhuruar kryeministri shqiptar një pjatë argjendi me simbolin e Theresias, ndërkohë ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias një pjatancë argjendi me vegël muzikore.

Ndërkohë, Milan Stech, kryetari i Senatit të Republikës Çeke i ka dhuruar kryeministrit shqiptar dy kupa kristali Bohemie me buzë me rreth ngjyrë ari.

Piktura për piktorin

Kancelarja Angela Merkel gjatë vizitës së saj në Tiranë dhe kryeministri Rama, duke përshëndetur qytetarët para kryeministrisë. Foto: LSA

E kaluara e kryeministrit Rama si artist dhe pedagog arti duket se ka ndikuar gjithashtu në përzgjedhjen e dhuratave që i kanë bërë personalitete dhe diplomatë të huaj. Në total gjatë viteve 2013-2018, Rama ka marrë si dhuratë 10 piktura dhe 1 ikonë nga personalitete të shquara si kancelarja gjermane, Angela Merkel, homologu i tij serb, Aleksander Vuçiç apo ish ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier, i cili tani mban postin e Presidentit të Gjermanisë dhe njihet për pasionin e tij për futbollin.

Në vizitën në Shqipëri si ish ministër i Jashtëm, ai i dhuroi kryeministrit shqiptar një pikturë futbollisti. Edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka dhuruar Ramës një pikturë prej akuareli gjatë së njëjtës vizitë, por detajet mbi këtë vepër arti mungojnë në përshkrimin e ofruar nga Këshilli i Ministrave.

Kryeministria mund të udhëhiqet nga një ish pedagog arti, por zyra e protokollit të Këshillit të Ministrave nuk shquhet për përshkrimin artistik të veprave që ka marrë dhuratë kreu ekzekutivit dhe janë arkivuar në fondin e këtij institucioni.

Piktura që iu dhurua nga homologu i tij Serb gjatë vizitës në Tiranë në maj 2015 është kataloguar me përshkrimin e thjeshtë ‘pikturë.’ Të njëjtin fat ka pasur dhe një vepër arti e dhuruar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi një vit më vonë.

Kryeministri serb raportohet t’i ketë dhuruar Ramës për ditëlindje edhe një shishe raki kumbulle gjatë një takimi në Paris në korrik 2016. Megjithatë, kjo dhuratë e çmuar për shpirtin ballkanas nuk gjendet në listën e dërguar nga Këshilli i Ministrave. Me gjasë do të ketë avulluar pa arritur në zyrën e protokollit.

Pak më shumë vëmendje nga protokolli ka marrë një pikturë e dhuruar nga Norbert Kartmann, kryetari i parlamentit të landit gjerman të Hessenit, e përshkruar si ‘luan dhe objekt me ngjyra të kuqe”. Ndërsa një dhuratë nga princi i kurorës së Abu Dhabit, Sheik Mohammed bin Zayed Al Nahun është përshkruar në mënyrë minimaliste si ‘pikturë kal”.

Në listën e pikturave që i janë dhuruar kryeministrit Rama përfshihen dhurata nga një delegacionin i Partisë Komuniste Kineze, Presidentja e Maltës  Marie Loise Coilero-Preca, Kryeministri Sllovenisë, Miro Cerar, si dhe një tjetër delegacion kinez, i kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë Zhang Gaoli.

Libra dhe medalje

Biografia e Hashim Thaçit e shkruar nga Roger Boyes dhe Suzzy Jagger –

Gati 1/4 e 183 dhuratave diplomatike të marra nga kryeministri Edi Rama gjatë viteve 2013-2018 përbëhet nga libra, me tema dhe autorë të ndryshëm, por që mund të përmblidhen në disa kategori kryesore, ku përfshihen biografi dhe libra me autorë personalitete të shquara, libra mbi marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe vendit që përfaqëson dinjitari i huaj, si dhe libra që kanë si temë kulturën apo bukuritë natyrore të vendeve të ndryshme.

Dhuruesi më i madh i librave për kryeministrin Edi Rama ka qenë Princi Ghazi i Jordanisë në një vizitë zyrtare në Aqaba në qershor 2018. Librat e dhuruar nga Princi Ghazi për Ramën kanë si temë botën dhe fenë Islame, si dhe mënyrat se si një vend mund t’u përgjigjet ekstremistëve fetarë.

Një kategori e veçantë në librat që ka marrë si dhuratë Edi Rama përbëjnë dhe biografitë apo veprat e personaliteteve të ndryshme. Për shembull, në tetor 2013, ish ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu i ka dhuruar kryeministrit shqiptar një botim të tijin në shqip. Ngjashëm Patriarku i Moskës dhe Rusisë, Kirill i ka dhuruar Edi Ramës librin e tij “Freedom and Responsability’ – gjatë vizitës në Tiranë në maj 2018.

Bibliotekës së Këshillit të Ministrave nuk do t’i mungojë as biografia e Hashim Thaçit “New State, Modern Statesmen” – e shkruar nga Roger Boyes dhe Suzy Jagger, e cila ka ardhur me një dedikim nga presidenti i Kosovës. Libra biografikë i kanë dhuruar Ramës edhe Simeoni II i Bullgarisë si dhe sipërmarrësi spanjoll, Migel Fluxa, të cilin Rama e takoi në qershor 2018.

Listës së dhuratave për kryeministrin shqiptar nuk i kanë munguar dhe medaljet, si për shembull ajo e dhuruar nga Hashim Thaçi në shkurt 2018, me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Patriarku Kirill i Moskës dhe Rusisë i ka dhënë Ramës një medalje në nder të 45-vjetorit të shugurimit të tij, ndërsa kryebashkiaku i ‘Maire de Moulins’ në Francë i ka dhuruar medalje që paraqet Virgjëreshën e Mullirit.

Dhuratat e pazakonta

Një dhuratë diplomatike midis dy vendeve mund të marrë shumë kuptime; ajo mund të jetë një simbol paqeje ose mirënjohjeje, madje dhe një deklaratë simbolike për superioritetin e një vendi mbi tjetrin. Por, ka raste që dhuratat e sjella nga dinjitarët e huaj janë thjesht të çuditshme. Kjo kategori dhuratash nuk i ka munguar edhe kryeministrit shqiptar.

Në 18 shkurt 2016, ish kryeministri rumun, Viktor Ponta i dhuroi homologut të tij shqiptar një “shportë me produkte vendase, bio.” Një dhuratë e tillë do të ishte pak e vështirë për t’u arkivuar në Kryeministri. Në gusht 2018, gjatë një vizite në Tiranë, Princi Saudit Sultan bin Selman bin Abdulaziz Al-Saud, i dhuroi Edi Ramës një shpatë të vogël. Një shpatë e vogël me ngjyrë të verdhë iu dhurua Ramës edhe në 2018 nga zv. presidentja bullgare, Ilirjana Jetova.

Një delegacion nga parlamenti britanik u mjaftua me një set prej 2 gotash dhe një pako letrash, ndërkohë që protokolli i Republikës së Sllovenisë i dhuroi kryeministrit shqiptar një vazo të vogël 3 centimetra. Megjithatë, dhurata më festive duket se ka ardhur nga kryeministrja polake Beata Szdlylo, e cila gjatë një takimi në dhjetor të vitit 2016 në prag të festave, i dhuroi kryeministrit shqiptar 4 topa për të zbukuruar pemën e Krishtlindjeve.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com