May 2, 2024

Ja cilat jane bankat nen hetim per shkelje!

Autoriteti i Konkurrencës shpalli të enjten se ka hapur hetim të thelluar ndaj sjelljes në treg të Bankës Raiffeisen, Bankës Kombëtare Tregtare, Intesa San Paolo Bank Albania dhe Credins Bank për të parë nëse këto banka kanë shkelur rregullat e vendosura nga ligji “Për Konkurrencën” në veçanti neni 4 “Marrëveshje të Ndaluara” dhe neni 9 “Abuzim me Pozitën Dominuese në Treg”.

Nëse gjenden fajtore, bankat mund të gjobiten me deri 10% të xhiros së tyre vjetore.

Autoriteti i Konkurrencës pati filluar hetim paraprak në maj të vitit 2018 dhe nga inspektimet e kryera që nga ajo kohë doli në konkluzionin se ka nevojë për “hetim të thelluar”. Sipas vendimit, hetimi do të analizojë “Llogaritë rrjedhëse; Depozita me/pa afat; Kredi konsumatore; Kredi Kufi (OVD); Kredi hipotekore; Transferta Bankare të ofruara nga bankat e nivelit të dytë në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Intesa San Paolo Bank dhe Credins Bank nuk iu përgjigjën kërkesave me email për koment. BIRN nuk ishte në gjendje të kontaktonte BKT dhe Raiffeisen Bank.

Çmime të ngjashme, interesa të ngjashme

Shqiptarët kanë mundësi teorike të zgjedhin mes 16 bankave që operojnë në tregun shqiptar. Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës vëren se katër bankat më të mëdha në vend kanë pozicion dominues në shumicën e produkteve bankare dhe këtu mundësitë për të zgjedhur janë shumë të pakta për shkak se komisionet e zbatuara janë shumë të ngjashme dhe interesat e ofruara, veçanërisht për depozitat, janë gjithashtu thuajse identike.

Në veçanti, interesat e depozitave janë tashmë prej vitesh pothuajse zero ndërsa shqetësim përbën për autoritetin edhe produkti i kredisë overdraft. Një shqetësim tjetër lidhet me koston e lartë që kanë konsumatorët në rast se dëshirojnë të ndërrojnë bankë, përfshirë komisionet për mbylljen e llogarive, komisionet për mbylljen para kohe të kontratës së kredisë apo komisionet e transfertave bankare, të cilat në praktikë e pakësojnë mundësinë apo leverdisshmërinë e klientit kur sheh kushte më të mira të ofruara nga një bankë tjetër.

Autoriteti vëren se të katër bankat janë më të mëdhatë në Shqipëri dhe se pjesët e tyre të tregut kanë mbetur relativisht të pandryshuara që nga viti 2016. Sipas autoritetit, ky lloj ngurtësimi në pjesët e tregut vërehet në depozitat me afat dhe pa afat ndërsa bankat kanë komisione pothuajse të njëjta si dhe ofrojnë interesa depozitash pranë zeros.

“Komisionet që aplikojnë katër bankat për llogaritë rrjedhëse janë pothuajse të njëjta, kurse normat e interesit janë shumë të ulta ose nuk aplikohen për këtë produkt, gjë e cila në kuptim të nenit 4, pika 1, gërma (a) të Ligjit Nr. 9121/2003, mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar,” shkruhet në vendimin e hapjes së hetimit të thelluar.

“Nga krahasimi i normave të interesit mes bankave është vënë re aplikim i interesa shumë të ulëta dhe pothuajse të njëjta mes tyre,” thuhet më tej në vendim. “Mënyra e aplikimit të interesave të bankave dhe normat e interesit që aplikojnë bankat si për individë edhe për biznesin në pjesën më të madhe të bankave janë të njëjta për cdo monedhë, gjë e cila në kuptim të nenit 4, pika 1, gërma (a) të Ligjit Nr. 9121/2003, mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar,” vijon argumentimi i Autoriteti të Konkurrencës.

“Nga analiza e sjelljes së ndërmarrjeve nën hetim, konstatohet qëndrueshmëri e pjesëve të tregut lidhur me depozitat dhe kreditë, shkallë e lartë përqendrimi në segmente të produkteve, norma shumë të ulëta dhe të ngurtësuara të interesave të depozitave, norma të larta të interesit të kredive, spread disa herë më i lartë krahasuar me normën e interesit të depozitave, komisione dhe penalitete bankare të larta për ndërrimin e bankës (switching cost), komisione të larta për transfertat bankare në monedhë të huaj dhe norma të larta fitimi”, thuhet në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Periudha e hetimit do të përfshijë vitet 2016, 2017 e 2018.

Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Bankave, të katër bankat nën hetim kontrollojnë 67.8% të aseteve të sistemit bankar në Shqipëri, 63.8% të kredive dhe 68.6% të depozitave. Këto janë të dhënat për gjendjen e sistemit në shtator 2018. Të katra bankat sëbashku kanë 55% të të gjitha zyrave bankare në vend dhe 60% të të gjithë punonjësve të sistemit.

Në vitin 2017, të katra bankat sëbashku kishin edhe 75% të investimeve të sistemit bankar në tituj borxhi të qeverisë.

Banka Kombëtare Tregtare është banka më e madhe në Shqipëri me 28% të aseteve të sistemit bankar pasuar nga Raiffeisen Bank me 15%, Credins Bank me 12.9 dhe Intesa San Paolo me 11.4%.

Kjo është hera e dytë që Raiffeisen Bank vendoset nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës. Në vitin 2010, AK e hetoi këtë bankë për pozitën dominuese që ajo kishte trashëguar nga koha kur ishte bankë shtetërore me emrin Banka e Kursimeve në tregun e borxhit publik të vendit dhe dyshimet se kishte abuzuar me këtë pozicion duke mbajtur të larta interesat e borxhit publik në tërësi.

Raiffeisen u hetua në atë kohë edhe për vendosjen e tarifave abuzivisht të larta për shërbimin e ndërmjetësimit të blerjes së borxhit publik nga qytetarët, deri në 1.2% të principalit të investuar.

Në përfundim të hetimit, banka pranoi uljen e këtij komisioni në masën 0.2% ndërsa Autoriteti i Konkurrencës deklaroi se nuk ishte në gjendje të provonte abuzim të kësaj banke me pozicionin dominues në tregun e borxhit publik. [Link]

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com