December 25, 2024

Bashkia e Tiranës kalon te privati administrimin e parkingjeve

Pas paralajmërimit nga këshilltari i PD në Këshillin Bashkiak, Akil Kraja tashmë pritet që Bashkia e Tiranës të miratojë në mbledhjen e saj të ardhshme një vendim që i hap rrugë administrimit të parkingjeve edhe nga subjektet private.

“Bashkia e Tiranes kërkon të japë me PPP grumbullimin e pagesës të parkingut në rrugët e kryeqytetit… Një kompani do të mbledhë pagesën në emër të Bashkisë e për këtë do të marrë komision…”, shkroi Kraja pak ditë më parë.

Sipas revistës Monitor, Bashkia pritet të ndryshojë kriteret e përcaktimit të zonave të administrimit të parkimit dhe nënzonave të destinuara për parkim. Ky ndryshim krijon mundësinë që “tarifa e  shërbimit të parkimit të administruar nga bashkia e Tiranës mund të bëhet pranë punonjësve të Tirana Parking ose nëpërmjet mënyrave alternative të pagesës, sipas marrëveshjeve të lidhura midis Bashkisë së Tiranës dhe subjekteve që ofrojnë metoda alternative pagese. Në rastin kur tarifa e shërbimit të parkimit kryhet përmes alternativave të tjera të pagesave, komisioni që i mbahet përfituesit për shërbimin e ofruar përcaktohet në marrëveshjen e lidhur midis subjektit privat dhe Bashkisë Tiranë. Bashkia Tiranë ofron gjithë transparencën e nevojshme për pagesën e shërbimit të parkimit dhe komisionet përkatëse që mbahen nëpërmjet metodave alternative të pagesës ”.

Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, Bashkia Tiranë u nis nga ankesat e qytetarëve pranë Tirana Parking se në ato rrugë ku tarifimi bëhet vetëm përmes celularit duhet të ketë një metodë tjetër alternative për kryerjen e pagesës së shërbimit të parkimit, pasi shpesh ata nuk kanë kreditin e mjaftueshëm në celular, apo dhe ata që nuk kanë një numër shqiptar nuk e përdorin dot këtë shërbim.

Si rrjedhojë Bashkia Tiranë po shqyrton metodën alternative që konsiston në vendosjen e pajisjeve vetëshërbyese në vendet e destinuara për parkim. Për realizimin e këtij shërbimi, shoqëria përfituese do të përfitojë një komision, i cili do të kryhet nga qytetarët që përfitojnë nga shërbimi i parkimit publik.

Një tjetër arsye është konstatimi se në shumë raste në rrugët me pagesë shmanget pagesa e tarifës së parkimit, për shkak të mungesës së alternativës për kryerjen e pagesës. Ndërkohë kjo metodë do të shmangë dhe kryerjen e pagesës me lekë në dorë nga pronari i mjetit te inspektori i Tirana Parking, duke mënjanuar çdo abuzim të mundshëm.

Bashkia ka kërkuar informacion dhe pranë Agjencisë së Prokurimeve Publike, nëse ky shërbim është objekt i zbatimit të procedurave të prokurimit publik dhe përgjigja ka qenë që Po, pasi pagesa kryhet nga qytetarët dhe jo nga buxheti i Bashkisë.

Sa paguajmë për të parkuar në kryeqytet

Në 2018-n, përdoruesit e automjeteve kanë paguar 440 milionë lekë (3.5 milionë euro) për të parkuar, sipas të dhënave nga projektbuxheti 2019.

Krahasuar me vitet e kaluara, arkëtimi i tarifës së parkimit për vitin 2018 ka një rritje të ndjeshme kryesisht nga pagesat e parkimit (të ardhurat) me SMS, si rrjedhojë e riorganizimit të strukturave, mënyrës së arkëtimit dhe evidentimit në kohë të përdoruesve të parkimit në rrugët me pagesë por dhe në sheshet e miratuara për parkim, thuhet në relacionin e Bashkisë.

Në 2019-n, Bashkia pret të arkëtojë 420 milionë lekë nga parkimi, me një rënie të lehtë të raport me pritshmërinë e këtij viti.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com