December 25, 2024

Administrata publike ne duart e kryeministrit?

Kryeministri Rama njoftoi sot se ka larguar 300 nëpunës nga administrate publike, pasi nuk i dhanë në kohë zgjidhje problemeve të qytetarëve. Sot, gjatë një takimi të përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes, Rama u shpreh:

“Janë mbi 300 të larguar nga puna në administratë, pasi nuk i kanë dhënë në kohë zgjidhje problemeve të qytetarëve. Platforma [e bashkëqeverisjes] është në dispozicion që gjithkush të mos sorollatet dhe qeveria të bëhet aleate me qytetarin.”

Duket se tashmë, Kryeministri Rama ka marrë në duart e tij reformimin e administratës publike përmes shkarkimeve arbitrare, pasi dështoi ta reformojë atë sipas standardeve europiane, përmes nismave të ligjshme dhe me mbështetjen finaciare të BE-së.

Reformimi i administratës publike ishte një prej premtimeve kryesore të Edi Ramës, gjatë fushatës elektorale të 2013-ës. Për këtë, në qeverinë Rama 1 kishte dhe një ministër të veçantë për Inovacionin dhe Administratën Publike.

Në vitin 2014, qeveria nënshkroi një kontratë prej 246 mijë eurosh për ta vënë në punë Sistemin e Informacionit për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (HRMIS), i ndërtuar në vitit 2011, me financim të BE-së nga fondet e Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA). Ky sistem parashikonte mbledhjen e dosjeve personale të të gjithë punonjësve të qeverisë, përfshi të dhënat që lidhen me rekrutimin, arsimimin, trajnimin, pagesat dhe sigurimet.

Por në raportin e auditimit të KLSH, për vitin 2017, kuptohet qartë se ky sistem nuk është vënë në punë:

“Departamenti i Administratës Publike —[…]— nuk ka hartuar një strategji institucionale dhe një plan-veprimi për zbatimin e sistemit HRMIS, si dhe nuk ka bërë plotësimin e tij me të dhënat e duhura dhe ndërveprimin e tij [me bazat e të dhënave të tjera], me qëllim që ta bëjë atë plotësisht funksional. Procesi i ndërveprimit të sistemit HRMIS me sisteme të tjera është i pezulluar aktualisht.”

Pas katër vitesh në pushtet dhe pasi reforma e thellë në adminstratë dështoi, Kryeministri Rama vendosi ta marrë vetë në dorë “reformimin e administratës”.

Menjëherë pas nisjes së mandatit të dytë, Rama e shkriu ministrinë për Adminsitratën Publike dhe njoftoi ngritje e një platforme, përmes së cilës do të bashkëqeveriste me qytetarët e zakonshëm.

Platforma u ngrit përmes një sërë dëgjesash me qytetarët, pa asnjë bazë ligjore, dhe akuzave kundër burokracisë shqiptare, e cila “abuzon në mënyrë sistematike me qytetarët e thjeshtë”. Kjo fushatë u shoqërua me turperimin publik të disa prej funksionarëve të shtetit, duke botuar lista të tyre në faqen e tij në Facebook dhe duke u kerkuar në mënyrë arbitrare të tjerëve të dorëhiqen.

Më pas, Rama vijoi me një fushatë denigruese, ku shkarkonte publikisht në bllok të gjithë drejtuesit e institucioneve të ndryshime, pa bërë asnjë hetim adminitrativ paraprak për shkelje nga ana e tyre, por vetëm bazuar në “ankesat e qytetarëve”. Kështu, Rama shkarkoi te gjithe drejtuesit lokale te zyrave te Hipotekes; e më pas  drejtuesit e gjithe spitaleve; drejtorët e drejtorive dhe departamenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave; dhe të gjithë prefektët në 12 qarqet e vendit, 7 nga 12 prej te cileve ishin sapoemeruar. Nën shembullin e Ramës, Ministrja e Drejtësisë Gjonaj shkarkoi dhe drejtorët e burgjeve, ndërsa Kryeministri Rama njoftoi shkrirjen e Drejtorive Arsimore Rajonale.

Facebook Comments

MineralHygienics.com