December 25, 2024

Shqipëria më e korruptuara në Evropë

Shqipëria renditet si vendi më i korruptuar në Evropë, sipas raportit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit 2018 nga Transparency International, organizatës më të rëndësishme kundër korrupsionit në botë.

Krahasuar me një vit më parë, Shqipëria është përkeqesuar me tetë vende, duke u renditur e 99-ta në mes 180 vendet që vëzhgon raporti dhe e fundit në Evropë.

Një vit më parë, në Evropë, Shqipëria renditej në vend të 91-të bashkë me Bosnje-Hercegovinën, ndërsa linte pas Maqedoninë, në vend të 107-të.

Por në 2018-ën, si Bosnje Hercegovina, ashtu dhe Maqedonia kanë bërë përmirësime në luftën kundër korrupsionit dhe janë ngjitur në renditje, përkatësisht në vend të 89-të dhe 93-të, duke lënë Shqipërinë si vendin më të korruptuar të rajonit.

Në një shkallë nga 0 në 100 – ku 0 tregon korrupsion të lartë dhe 100 mungesën totale të korrupsionit, Shqipëria është vlerësuar me 36 pikë në vitin 2018. Mesatarja e përgjithshme botërore është 43 pikë, ndërsa mesatarja e Evropës është 66 pikë, që tregon një diferencë të madhe të Shqipërisë me vendet europiane.

“Duke qenë vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shqipëria është përmirësuar gjatë pesë viteve të fundit me pesë pikë, duke lëvizur nga vendi i 31-të sa kishte në vitin 2013 në 36 në vitin 2018. Megjithatë, ajo ka shënuar rënie me dy pikë në krahasim me vitin e kaluar. Kjo mund të jetë për shkak të një ngërçi politik, që bllokoi disa reforma anti-korrupsion të ecin përpara. Me procesin e ri të vetingut dhe kuadrin institucional kundër korrupsionit, pothuajse të plotë, mbetet për t’u parë nëse Shqipëria do të përmirësojë rezultatin e saj në të ardhmen”,shkruhet në raport për Shqipërinë.

Raporti i këtij viti nxjerr në pah dështimin e vazhdueshëm të shumicës së vendeve për të luftuar korrupsionin, i cili po kontribuon drejtpërsëdrejti në krizën e demokracisë në mbarë botën.

Europa Lindore, përfshirë dhe rajoni i Ballkanit, karakterizohet nga mungesa e kontrollove, balancimeve dhe ndarjes së pushteteve dhe kjo ndikon në dështimin e luftës kundër korrupsionit.

Vendet, ku pothuajse nuk ekziston korrupsioni janë Zelanda e Re dhe Danimarka, ndërsa më problematikët rezultojnë Siria dhe Somalia.

Facebook Comments

MineralHygienics.com