December 25, 2024

KPK shtyn seancën e njoftimit të vendimit për Donika Prelën

Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela duhej të paraqitej për tu njohur me vendimin e Komisionit, por KPK ka shtyrë seancën e vendimit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shty të martën datën e dhënies së vendimit për drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela. Në një njoftim për shtyp KPK njofton se, “për shkaqe të arsyeshme, seanca e shpalljes së vendimit për subjektin e rivlerësimit, Znj. Donika Prela, me detyrë drejtuese e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, përcaktuar në datë 29.01.2019, ora 10:00, do të shtyhet për në datë 05.02.2019, ora 9:00.”

Njoftimi nuk bën me dije se cilat ishin shkaqet e arsyeshme. Ndërkohë të hënën deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj në një konferencë për shtyp aludoi për lidhje të Prelës me krimin e organizuar. “Organet e vetingut duhet t’i japin përgjigje pyetjes: a është Donika Prela pjesë e dosjes 339, e kapur në përgjim me bandën e Avdyljave duke biseduar me kreun e bandës Astrit Avdylaj? Përgjimet e dosjes 339 janë bërë në kohën kur Donika Prela drejtonte Prokurorinë e Durrësit dhe Astrit Avdylaj u arrestua për armëmbajtje pa leje, por më pas u lirua si i pafajshëm”, tha Alibeaj. Ai po ashtu aludoi për një takim mes Komisioneres Valbona Sanxhaktari dhe prokurores.

Prela nuk ka reaguar për akuzat, por shtyrja e vendimit nga Komisioni mund të jetë e lidhur me verifikimet shtesë që mund të bëhen pas tyre.

Drejtuesja e komanduar e Krimeve të Rënda, Donika Prela u përball me pikëpyetje mbi të ardhurat e bashkëshortit dhe transaksionet me pasuritë e paluajtshme ne seancen degjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit më 22 janar. Prela u mbrojt me dokumente shtesë si dhe me argumentin se detyrimet tatimore të bashkëshortit ishin përgjegjësi e punëdhënësit.

Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda  u ngarkua me barrën e provës për burimet financiare të një të afërmi të bashkëshortit, i cili u kishte dhënë 15 mijë euro hua për blerjen e një apartamenti në vitin 2007 si dhe dha sqarime mbi denoncimin e një qytetari lidhur me apartamentin ku banon aktualisht, i blerë për 110 mijë euro në vitin 2018.

Procesi i vetingut për të u krye nga trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Olsi Komicin.  Gjatë seancës dëgjimore, Prela u përball me komente të hidhura nga vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs, i cili e krahasoi dosjen e saj të vetingut me shijen e keqe të një ilaçi të kapërdirë pa ujë në mëngjes, por që kalon në kohën e drekës.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com